“Uniforma Ime”, mbështetje konkrete për fëmijët e futbollit. Nis edicioni i ri i projektit të radhës nga FSHF

7 Nëntor 2026
19:22
Telesport
back button

Inaugurimi i stadiumit të ri të Gramshit u shoqërua edhe me nisjen e edicionit të ri të projektit të FSHF-së “Uniforma Ime”, përmes të cilit fëmijët që aktivizohen në shoqatat dhe akademitë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan do të pajisen falas me uniforma dhe bazë materiale sportive.

Ky projekt është një tjetër investim i rëndësishëm i Federatës Shqiptare të Futbollit në mbështetje të futbollit të fëmijëve, duke synuar krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e tyre dhe lehtësimin e barrës financiare për familjet. Shpërndarja e uniformave dhe pajisjeve sportive do të ndihmojë që fëmijët të përqendrohen te stërvitja, loja dhe ndjekja e ëndrrave të tyre sportive.

Presidenti Duka e vuri theksin te lidhja mes investimit në infrastrukturë dhe projektit “Uniforma Ime”, duke theksuar se të dyja nismat kanë të njëjtin qëllim: t’u japin fëmijëve mundësi të barabarta për të luajtur futboll, pavarësisht vendit ku kanë lindur apo jetojnë.

“Në kuadër të kësaj strategjie të Federatës së Futbollit ishte edhe shpërndarja falas e uniformave të projektit ‘Uniforma Ime’, në mënyrë që fëmijët e Gramshit, me këtë infrastrukturë dhe këto uniforma, të ndjekin ëndrrat e tyre njësoj si çdo fëmijë tjetër, pavarësisht vendit ku kanë lindur”, tha Presidenti i FSHF-së.

“Dua të falënderoj shumë prindërit, të cilët kanë sakrifikuar shumë. Uroj që edhe ne t’u kemi ardhur në ndihmë, nëpërmjet projektit ‘Uniforma Ime’, për t’i bërë së bashku ëndrrat e fëmijëve realitet. Ta gëzoni stadiumin! Uroj të kemi sa më shumë fëmijë që luajnë futboll dhe sa më shumë rezultate pozitive për ekipin e Gramshit”, u shpreh kreu i qeverisë së futbollit.

Edhe Kryetari i Bashkisë Gramsh nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së fëmijëve dhe krijimit të kushteve për t’i afruar ata me sportin. Ai falënderoi prindërit, mësuesit dhe trajnerët që kanë kontribuar ndër vite në formimin e futbollistëve të qytetit, duke theksuar se investimet në terrene sportive janë të domosdoshme për t’i dhënë mundësi më shumë se 250 fëmijëve që janë aktualisht pjesë e futbollit në Gramsh.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit