Lajmi i fundit

Dita e 26-të e revoltës studentore: Rama jepe dorëheqjen

Berisha: E kam paralajmëruar Ramën, mos ndërmerr masa shtrënguese se do të përfundojë si dekreti i Ramiz Alisë

20:49, 07/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

"PD nuk do të respektojë asnjë masë që bie ndesh me Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut' theksoi edhe një herë kryetari i PD-së, Sali Berisha sot në mbrëmje në konferencën e medias në selinë PD. I pyetur nga gazetari i Syri Tv, Albi Rakip Berisha deklaroi se e ka paralajmëruar Ramën të mos ndërmarrë masa shtrënguese se do të përfundojë njëlloj si dekreti i Ramiz Alisë në vitin 1991. 

Albi Rakip: Zoti Berisha, pas ndërhyrjes së policisë gjatë protestave studentore të muajit tetor, ku u raportua dhe u pa qartë dhuna brutale më e madhe ndonjëherë ndaj të rinjve dhe të rejave, qytetarëve të ndryshëm të këtij vendi, por në të njëjtën kohë edhe pas VKM-së së fundit të miratuar mbi masat administrative të ndërmarra nga qeveria Rama, cili do të jetë hapi i ardhshëm, vendimi apo qoftë edhe plani konkret i departamentit ligjor pranë Partisë Demokratike, apo qoftë edhe departamenteve të tjera të kësaj force politike?

Sali Berisha: Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, siç njoftoi dje kryetari i grupit, Gazment Bardhi, nënkryetari i partisë, i ka dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese padinë për këto akte dhe ka kërkuar pezullimin e tyre të plotë nga Gjykata Kushtetuese.
 
Por krahas kësaj, unë ju garantoj se ne nuk respektojmë dhe nuk do të respektojmë asgjë që vjen në kundërshtim me frymën dhe gërmën e Kushtetutës së Shqipërisë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese për protestën, e cila ka përjashtuar kërkesën e lejes për protestë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Shqipëria është firmatare e saj. 

Pra ne nuk i njohim. 

Unë kam paralajmëruar Edi Ramën, mos ndërmerr masa shtrënguese se do të përfundojë njëlloj si dekreti i Ramiz Alisë për mbrojtjen e personaliteteve në vitin 1991. 

Në fakt ju e morët vesh, AMA filloi mbrojtjen e pseudo-personalitetit Edi Rama. Turpi më i madh. Ky pra i bëri aktet për të mbrojtur veten e tij. 
Gjobiten studiot televizive pse bëhen nga pjesëmarrës në debat deklarata apo thirrje kundër tij. Në fakt të jemi realistë, diktatori i fundit komunist në vitin '90 dekretin nuk e bëri për vete, e bëri për Enver Hoxhën, ç'është e vërteta, dhe futi aty dhe Fan Nolin dhe Sami Frashërin sikur shqiptarët kishin vetëm admirim për këta dhe kurrë s'kishin asnjë fjalë ofenduese dhe lëndim për Frashërllinjtë apo për Nolin apo për personalitete të tjera të kombit tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco