IVF-ja falas në QKUK jep rezultat, 12 gra mbesin shtatzënë përmes këtij shërbimi
Këtë javë lindi foshnja e parë nga shtatzënia përmes fertilizimit të asistuar në Klinikën e Gjinekologjisë. Ky proces, që për herë të parë nisi vitin e kaluar dhe ofrohet falas, ka rezultuar me shtatzëni të suksesshme edhe për 11 gra të tjera. Interesimi i pacienteve për këtë shërbim që ofrohet në QKUK, është rritur dukshëm.
Ëndrra për të përjetuar ndjenjën e mëmësisë iu plotësua pas gjashtë vitesh.
E, këtë, ajo e arriti përmes shtatzënisë me fertilizim të asistuar në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.
Tash kur pranë e ka vajzën, 31-vjeçarja ka një mesazh për gratë e tjera.
“Gjithqysh, mos të humbin kohë sepse këtu është çdo sen shumë mirë, gjithçka ka shku shumë mirë, stafi shumë i mrekullueshëm dhe gjithçka ka shku në rregull”.
Por, kjo s’është e vetmja grua që mori shërbimin IVF në Gjinekologji.
“Deri tash i kemi pas përmbi 100 marrje të ovocideve nga qelizat vezë, pastaj përmbi 38 transfere që do të thotë kur bëhet transferi është qeliza e mbarësume dhe pritet shtatzënia prej tyre dhe prej 38 transfereve i kemi deri tash të konfirmuara 11 shtatzëni”, ka thënë Zef Ndrejaj, Drejtor i Gjinekologjisë, QKUK.
Drejtori foli edhe për numrin e pacienteve që kanë kërkuar konsultë për marrjen e këtij shërbimi, që ofrohet falas në QKUK.
“Shërbimi i IVF-së ose FAM si i themi ne ka nis tash gati para një viti deri më tani janë diku 2700 pacientë, të cilët kanë kërkuar konsulta apo janë ardhë në kontroll tek mjekët e repartit, por jo nuk janë duke prit sepse shumica nga këta ose kanë moshë të shtyer ose nuk i plotësojnë kushtet apo kanë edhe ndonjë problem të madh që nuk tejkalohet”, ka thënë Zef Ndrejaj, Drejtor i Gjinekologjisë, QKUK.
Ky shërbim në sektorin privat, varësisht nga procedurat, u kushton pacientëve deri në 10 mijë euro./Tv Dukagjini/





























