Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka dënuar sulmin e rëndë në Krakov të Polonisë, ku gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur.
Përmes një reagimi në platformën X, Konjufca u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, homologut të tij polak, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Radosław Sikorski, si dhe gjithë popullit të Polonisë.
“E dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm në Krakov. I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta homologut tim, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Radosław Sikorski, si dhe popullit të Polonisë”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka thënë se mendimet e Kosovës janë me familjet që kanë humbur të dashurit e tyre, ndërsa të plagosurve u ka uruar shërim të shpejtë dhe të plotë.
“Republika e Kosovës qëndron në solidaritet me Poloninë në këtë moment dhimbjeje”, ka përfunduar reagimin e tij Konjufca.