Vetëm 13 vjeç, por me rezultate që e veçojnë në sportin e hipizmit. Enes Brahimi është shpallur fitues në dy kategori të Kupës së Republikës, në garën me kuaj të zhvilluar këtë të shtunë në Mullet të Tiranës, duke triumfuar si në kategorinë e të rinjve, ashtu edhe në atë të të rriturve.
Përmes disiplinës, shpejtësisë dhe saktësisë në kapërcimin e pengesave, 13-vjeçari arriti të sigurojë dy trofe. Pasioni dhe përkushtimi ndaj kalërimit e kanë ndihmuar të marrë edhe çmime të tjera të rëndësishme, ndërsa është regjistruar gjithashtu në Federatën Ndërkombëtare të Hipizmit.
Një pjesë të suksesit Enesi ia atribuon edhe bashkëpunimit me kalin e tij, Loris, me të cilin stërvitet çdo ditë. Ai thotë se ky sport kërkon qetësi dhe mirëkuptim mes kalorësit dhe kafshës.
“Duhet të jesh shumë i qetë, sepse kuajt ndiejnë gjithçka. E veçantë e këtij sporti është se garon me një kafshë të gjallë”, shprehet Enes Brahimi.
Në garën e zhvilluar në Tiranë morën pjesë gjashtë ekipe, pesë nga Shqipëria dhe një nga Kosova. Rreth 25 djem dhe vajza u përballën me sfidën e kapërcimit të pengesave, në një aktivitet që u ndoq nga afër edhe nga familjarët e garuesve.
Në kategorinë e fëmijëve, një tjetër protagoniste ishte Sofia Caca, e cila së bashku me kalin e saj, Bambo, arriti të përfundonte garën pa asnjë gabim, duke siguruar vendin e parë.
“Për këtë fitore ndihem shumë mirë sepse është hera e parë që marr vendin e parë. Kjo fitore ishte dhe falë Bambos (kalit) që më ka mësuar kalërimin që në klasë të dytë. Për mua, kalërimi është ndjesia më e mirë”, tha Sofia Caca.
Interesi për sportin e hipizmit duket se po rritet edhe në Shqipëri, veçanërisht mes fëmijëve dhe të rinjve. Sipas zëvendëspresidentit të Federatës Shqiptare të Sporteve me Kuaj, Gazmen Brahimi, vitet e fundit është shtuar numri i vajzave që angazhohen në këtë disiplinë.
“Ka një interes të shtuar tani, sidomos te brezi i ri, te fëmijët kryesisht. Fatmirësisht, vitet e fundit mbizotërohet nga vajzat. Sepse ky sport, ndryshe nga sportet e tjera, u jep mundësinë të konkurrojnë në të njëjtën fushë, në të njëjtin nivel gare, si vajzat, edhe djemtë”, deklaroi Brahimi.
Edhe pse kupat e fituara nga tre vendet e para shoqërohen me shpërblime modeste financiare, për sportistët e rinj ato kanë një vlerë më të madhe: janë një nxitje për të vijuar stërvitjen dhe për të synuar rezultate edhe më të larta.


