Kryeministri polak, Donald Tusk, ka njoftuar shpalljen e dy ditëve zie kombëtare në Poloni, pas sulmit të rëndë me armë zjarri në qytetin e Krakovës, ku humbën jetën gjashtë persona dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur.

Vendimi u bë i ditur gjatë një konference për media në Krakovë.


Sipas tij, e diela, 8 nëntor, dhe e hëna, 9 nëntor, do të jenë ditë zie kombëtare në të gjithë vendin.

Sulmi ndodhi të shtunën, rreth orës 15:00, në afërsi të Sheshit Kryesor (Rynek Główny), në qendrën historike të Krakovës.

Sipas informacioneve të autoriteteve, një person hyri me veturë në zonën e sheshit dhe hapi zjarr ndaj kalimtarëve të rastësishëm.

Gjashtë persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën, në mesin e tyre edhe dy policë.

Pesë shtetas të huaj janë në mesin e të plagosurve, ndërsa në mesin e viktimave raportohet edhe një shtetas britanik.

Policia reagoi ndaj sulmit dhe qëlloi të dyshuarin, i cili më pas u arrestua dhe u dërgua në spital për trajtim mjekësor.

Sipas autoriteteve polake, i dyshuari është shtetas polak, rreth 25 vjeç. Ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, deklaroi se hetimet paraprake kanë zbuluar shenja të ndikimit nga ideologjia e ekstremit të djathtë dhe pikëpamje ultranacionaliste.

Megjithatë, motivi i saktë i sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt hetimi.

Një tjetër zhvillim tronditës u bë i ditur nga kryeministri Donald Tusk gjatë konferencës për media.

Sipas tij, në banesën e të dyshuarit, në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski, janë gjetur trupat e pajetë të tri personave: dy grave dhe një burri, të cilët dyshohet se janë familjarë të tij.

Autoritetet po hetojnë edhe lidhjen e mundshme të këtyre vdekjeve me sulmin në Krakovë.