Pas garimit të përbashkët kundër Aleksandar Vuçiqit dhe subjekteve të tjera politike në zgjedhjet parlamentare në Serbi, ku arritën rezultate të mira, shqiptarët e Luginës së Preshevës nesër, më 8 nëntor, do t'i rikthehen garës mes vete.

Gjithsej 37.759 shqiptarë, të regjistruar në Listën e Veçantë Zgjedhore, do të kenë të drejtë vote për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH).


Për 29 vende në këtë institucion përfaqësues garojnë katër lista zgjedhore, me gjithsej 107 kandidatë, raporton Telegrafi.

Sipas renditjes në fletëvotim, listat garuese shqiptare janë:

Lista nr. 1 – LPD–PDSH: Lëvizja e Progresit Demokratik, me bartës Shqiprim Musliun dhe 29 kandidatë.

Lista nr. 2 – PD–LR: Partia Demokratike, me bartës Sali Salihin dhe 20 kandidatë.

Lista nr. 3 – PVD–AL: Partia për Veprim Demokratik, me 29 kandidatë.

Lista nr. 4 – APN: Alternativa për Ndryshim, me bartës Levent Qazimin dhe 29 kandidatë.


Një nga ndryshimet e rëndësishme të këtyre zgjedhjeve është rritja e përbërjes së Këshillit Kombëtar Shqiptar nga 15 në 29 anëtarë.

Kjo ndodh pas më shumë se një dekade, ndërsa zgjerimi lidhet me rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 2022 në Serbi.

Çfarë vendoset përmes këtyre zgjedhjeve?

Qytetarët shqiptarë me të drejtë vote zgjedhin anëtarët e Këshillit, të cilët më pas përfaqësojnë interesat e komunitetit shqiptar në disa fusha kryesore:

Arsimi – përdorimi i gjuhës shqipe në shkolla, tekstet shkollore dhe zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe.

Kultura – ruajtja e traditave, historisë, identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Informimi – mbështetja e mediave dhe informimit në gjuhën shqipe.

Përdorimi zyrtar i gjuhës – avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet ku kjo e drejtë garantohet me ligj.

Këshilli Kombëtar Shqiptar është organ i vetëqeverisjes së pakicës kombëtare dhe ka kompetenca në fushat e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Përmes tij, shqiptarët në Serbi përfaqësojnë interesat e tyre në këto fusha dhe angazhohen për ruajtjen e identitetit kombëtar e gjuhësor.

Rëndësia e këtij institucioni shtrihet përtej çështjeve kulturore e arsimore. Ai shërben gjithashtu si mekanizëm institucional për ngritjen e çështjeve që prekin shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, përfshirë pasivizimin e adresave dhe të drejtat e tyre kolektive.

Në këto zgjedhje mund të votojnë shtetasit e Serbisë mbi 18 vjeç, të cilët janë të regjistruar në Listën e Veçantë Zgjedhore të pakicës kombëtare shqiptare. Votimi bëhet për listat zgjedhore, ndërsa mandatet ndahen në bazë të votave të fituara.

Qytetarët që dëshirojnë të vërtetojnë nëse janë të regjistruar në listën e votuesve, si dhe të informohen se në cilin vendvotim kanë të drejtë të votojnë, mund ta bëjnë këtë përmes platformës elektronike përkatëse të verifikimit të regjistrit të votuesve.

https://upit.posebanbirackispisak.gov.rs

Qytetarët shqiptarë duhet të kontrollojnë me kohë të dhënat e tyre, në mënyrë që ditën e zgjedhjeve të dinë saktësisht vendvotimin ku duhet të paraqiten për të ushtruar të drejtën e votës./Telegrafi/