Gjermania nuk mund të furnizojë më Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, pasi rrezikon të krijojë boshllëqe kritike në mbrojtjen e saj. Deklarata u bë nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në një intervistë për grupin mediatik Funke.
“Furnizimet, veçanërisht ato të sistemeve Patriot, po rezultojnë të vështira. Gjermania ka dorëzuar tashmë disa sisteme dhe një numër të madh raketash. Për momentin nuk mund të bëjmë më shumë. Çdo pajisje që do të dorëzonim tani nuk do të mund të zëvendësohej për një periudhë të caktuar kohore dhe kjo do të krijonte boshllëqe në mbrojtjen tonë, të cilat nuk mund t’i lejojmë”, deklaroi Pistorius.
Ministri gjerman theksoi se vende të tjera kanë kontribuar shumë më pak se Berlini dhe u bëri thirrje aleatëve të shtojnë përpjekjet për mbështetjen ushtarake të Kievit. Sipas tij, kjo çështje duhet të diskutohet seriozisht në takimin e ardhshëm të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, që pritet të zhvillohet në mesin e nëntorit.
Pistorius u shpreh gjithashtu se mundësitë për arritjen e një armëpushimi në Ukrainë në të ardhmen e afërt janë të pakta.
Gjermania mbetet një nga donatorët kryesorë të Ukrainës. Që nga fillimi i pushtimit rus, Berlini i ka ofruar Kievit ndihmë humanitare me vlerë rreth 43,3 miliardë euro dhe mbështetje ushtarake që kap vlerën e 57,6 miliardë eurove.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar për pasojat e mungesës së raketave të mbrojtjes ajrore, duke deklaruar se vendi është përballur me një valë sulmesh ruse.“Fushata e sulmeve balistike të Rusisë kundër Ukrainës vazhdon dhe, fatkeqësisht, për shkak të mungesës së raketave Patriot, ka pasur goditje të konsiderueshme”, shkroi Zelensky në platformën X.
Ai theksoi se Ukraina prodhon aktualisht më shumë energji elektrike sesa konsumon, por sulmet ruse ndaj nënstacioneve dhe rrjeteve elektrike kanë shkaktuar mungesa të konsiderueshme në Kiev dhe rajone të tjera.
Zelensky pretendoi gjithashtu se forcat ruse po godasin urat mbi lumin Dnipro, nga Kievi deri në Zaporizhia. Sipas tij, gjatë natës, Ura Veriore e Kievit u godit nga gjashtë raketa balistike, katër prej të cilave arritën në objektiv.
Presidenti ukrainas bëri të ditur se gjatë muajit nëntor vendi do të përfaqësohet në disa formate ndërkombëtare, përfshirë G7, Koalicionin e të Gatshmëve dhe takimin e Ramstein, me synimin për të siguruar mbështetje më të madhe.
“Po punojmë që secili prej këtyre formateve të japë rezultatet më të mira të mundshme. Dhe rezultatet duhet të përqendrohen para së gjithash te mbrojtja ajrore dhe energjia”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Rusia njoftoi se gjatë natës kishte rrëzuar 142 dronë ukrainas në hapësirën ajrore të rajoneve të ndryshme të vendit dhe mbi Detin Azov.
© SYRI.net