Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar Departamentin e Drejtësisë të nisë një hetim ndaj demokratëve, të cilët i akuzon se po kërcënojnë me shkarkim nga detyra zyrtarë të administratës së tij, kompani dhe donatorë të lidhur me projektin e ndërtimit të sallës së vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë.
Në një reagim të publikuar të shtunën në platformën Truth Social, Trump pretendoi se demokratët po paralajmërojnë “shkarkim dhe shumë forma të tjera ndëshkimi” ndaj disa zyrtarëve, edhe pse, sipas tij, nuk kanë prova apo arsye ligjore për masa të tilla.
“Demokratët po kërcënojnë shumë njerëz, përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara dhe të tjerë, me shkarkim nga detyra dhe shumë forma të tjera ndëshkimi, edhe pse pranojnë se nuk kanë arsye ta bëjnë këtë dhe se nuk ka pasur akte që çojnë në shkarkim nga detyra, të kryera apo të menduara për to, nga viktimat e këtij procesi të paligjshëm”, shkroi presidenti amerikan.
Trump i cilësoi këto veprime si “zhvatje në nivelin më të lartë”, ndërsa kërkoi që personat përgjegjës të përballen me burgim.
“Burgosja duhet të jetë kundër këtyre shtytësve, dhe republikanët duhet të bëhen të zgjuar, shpejt! Letra kërcënuese u janë dërguar shumë njerëzve, të gjithë të pafajshëm, nga udhëheqës politikë demokratë”, deklaroi ai.
Në të njëjtin reagim, Trump njoftoi se po i kërkonte Departamentit të Drejtësisë të hetonte menjëherë atë që e cilësoi si një akt kriminal.
Përplasja lidhet me një nismë të senatorit demokrat Richard Blumenthal, i cili pritet të drejtojë një panel të rëndësishëm hetimor të Senatit pasi demokratët të marrin kontrollin e Kongresit në janar. Të enjten, Blumenthal u dërgoi letra disa kompanive dhe zyrtarëve të administratës Trump, duke u kërkuar informacion dhe bashkëpunim në kuadër të hetimeve të mundshme.
Mes personave që morën kërkesat ishin Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, dhe kreu i Komisionit Federal të Komunikimeve, Brendan Carr. Letra iu dërguan gjithashtu disa kompanive dhe donatorëve të lidhur me Shtëpinë e Bardhë, përfshirë Amazon, Apple dhe Google.
Në listën e subjekteve që morën kërkesa për informacion përfshihen edhe kompanitë e kriptomonedhave World Liberty Financial, Binance dhe Tether.
Blumenthal paralajmëroi se nënkomiteti mund të shqyrtojë “masa alternative për të siguruar pajtueshmërinë”, në rast se kompanitë dhe zyrtarët nuk dorëzojnë informacionin e kërkuar deri më 4 janar, një ditë pas mbledhjes së Kongresit të ri.
Megjithatë, marrësit e letrave nuk kanë detyrim të përgjigjen përpara se Kongresi i ri të marrë zyrtarisht detyrën. Përplasja shënon një tjetër front tensioni mes Trump dhe demokratëve, në prag të ndryshimit të kontrollit të Kongresit.


