Gjermania ndalon furnizimin e Ukrainës me sisteme Patriot: Rrezikohet mbrojtja jonë

8 Nëntor 2026 | 08:57

Gjermania nuk do të mund të furnizojë më tej Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, pasi një vendim i tillë mund të krijojë boshllëqe kritike në mbrojtjen e saj kombëtare. Deklarata u bë nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në një intervistë për grupin mediatik Funke.

Pistorius theksoi se Berlini ka dorëzuar tashmë disa sisteme Patriot dhe një numër të konsiderueshëm raketash për Kievin, duke arritur kufijtë e kapaciteteve të tij aktuale.

“Furnizimet, veçanërisht ato të sistemeve Patriot, po rezultojnë të vështira. Gjermania ka dorëzuar tashmë disa sisteme dhe një numër të madh raketash. Për momentin nuk mund të bëjmë më shumë. Çdo pajisje që do të dorëzonim tani nuk do të mund të zëvendësohej për një periudhë të caktuar kohore dhe kjo do të krijonte boshllëqe në mbrojtjen tonë, të cilat nuk mund t’i lejojmë”, deklaroi ministri.

Kreu i Mbrojtjes gjermane nënvizoi gjithashtu se disa vende aleate kanë kontribuar shumë më pak se Berlini në mbështetjen ushtarake të Ukrainës. Për këtë arsye, ai u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të shtojnë ndihmën për Kievin.

Sipas tij, çështja e furnizimeve ushtarake duhet të diskutohet në mënyrë serioze në takimin e ardhshëm të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, i cili pritet të mbahet në mesin e nëntorit.

Pistorius u shpreh gjithashtu pesimist për mundësinë e arritjes së një armëpushimi në Ukrainë në një të ardhme të afërt, duke vlerësuar se shanset për një marrëveshje të tillë mbeten të pakta.

Gjermania është ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës që prej nisjes së pushtimit rus. Sipas të dhënave të bëra publike, Berlini ka ofruar rreth 43,3 miliardë euro ndihmë humanitare dhe 57,6 miliardë euro mbështetje ushtarake.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar për pasojat e mungesës së raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore, në një kohë kur vendi po përballet me sulme të vazhdueshme ruse.

“Fushata e sulmeve balistike të Rusisë kundër Ukrainës vazhdon dhe, fatkeqësisht, për shkak të mungesës së raketave Patriot, ka pasur goditje të konsiderueshme”, shkroi Zelensky në platformën X.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gjashtë të vrarë nga të shtënat me armë, Polonia shpall 2 ditë zie kombëtare

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka shpallur dy ditë zie kombëtare pas sulmit me armë zjarri në qytetin e Krakovit, ku mbetën të vrarë gjashtë...
08:18 | 08/11/2026

Tërmet i fuqishëm në Japoni, të paktën 20 të plagosur, sa ishte magnituda

Të paktën 20 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një tërmeti me magnitudë 5.7 ballë, që goditi Japoninë qendrore të dielën në mëngjes,...
08:15 | 08/11/2026

Trump i ofron presidentit të UFC postin si sekretar i shtypit në Shtëpinë e Bardhë: Dana, të lutem pranoje punën!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se i ka ofruar presidentit të Ultimate Fighting Championship (UFC), Dana White, postin e sekretares së...
08:10 | 08/11/2026