Sfidat e samitit të Antalias ndaj krizës klimatike, a mund të shkojë bota përtej premtimeve të mëdha?

Botë | 1 minutë më parë

Punimet e edicionit të 31-të të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP31) do të nisë punimet më 9 nëntor në Antalia të Turqisë, ku delegacione nga thuajse çdo vend i botës do të mblidhen deri më 20 nëntor për të përcaktuar hapat e ardhshëm ndaj krizës globale klimatike. Nën organizimin zyrtar të Turqisë dhe drejtimin e negociatave nga Australia, samiti përballet me presione të mëdha politike dhe mjedisore, pas një vere të karakterizuar nga temperatura ekstreme, thatësira të gjata dhe fatkeqësi natyrore shkatërruese globalisht.

Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, emetimet globale të karbonit vazhdojnë të shënojnë rritje. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka nxjerrë përfundimin se arritja e objektivit të Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015 – për kufizimin e ngrohjes globale mbi nivelet para-industriale – nuk është më reale. Sidoqoftë, progresi i arritur që nga viti 2015 ka shmangur skenaret më alarmante të rritjes. Zbatimi i plotë i angazhimeve aktuale parashikohet ta kufizojë ngritjen e temperaturave, çka mbetet një përmirësim i ndjeshëm, por me pasoja ende të rënda mjedisore.

Një nga sfidat kryesore në Antalia mbetet arritja e një dakordësie të gjithanshme për largimin nga lëndët djegëse fosile, si qymyri, nafta dhe gazi. Ekspertët e fushës, si David Victor nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego, vërejti se vendimmarrja me unanimitet në formatet e COP mundëson bllokimin e rezolutave nga shtete të caktuara, veçanërisht prodhuesit e mëdhenj të naftës si Arabia Saudite apo superfuqitë industriale si Kina.

Në këtë kuadër, Victor nënvizoi se “procesi i Parisit është i rëndësishëm. Ai duhet të ecë përpara, por e gjithë puna do të bëhet në klube” – duke iu referuar aleancave më të vogla midis qeverive dhe sektorit privat për nisma të caktuara si transporti detar apo aviacioni.

Për t’i dhënë një shtysë tranzicionit energjetik në kushtet e tensioneve tregtare dhe krizave energjetike, Turqia dhe Australia kanë vendosur si objektiv qendror rritjen e pjesës së energjisë elektrike në konsumin global nga rreth 20% sot në 35% deri në vitin 2035. Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, ky përshpejtim i elektrifikimit mund t’u kursejë vendeve importuese më shumë se 400 miliardë dollarë (rreth 357 miliardë euro) deri në vitin 2035.

Ministri gjerman i Mjedisit, Carsten Schneider, u shpreh se Gjermania dhe Bashkimi Evropian synojnë të forcojnë “eliminimin global të lëndëve djegëse fosile”, duke e cilësuar këtë si një mundësi ekonomike për të pakësuar varësinë nga importet energjetike.

Përveç tranzicionit teknologjik, hendeku financues mbetet një pikë kritike e negociatave. Megjithëse në samitin e mëparshëm në Baku vendet e industrializuara ranë dakord të alokojnë të paktën 300 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2035 për vendet në zhvillim, burimet e sakta të këtyre fondeve mbeten të nedefinuara qartë. Kjo situatë rëndohet nga reduktimet e buxheteve të ndihmës në disa shtete të zhvilluara.

Lidhur me këtë deficit, Jan Kowalzig nga Oxfam Germany theksoi se “niveli i mbështetjes financiare për vendet në zhvillim sot është larg asaj që nevojitet”, gjë që rrezikon të dëmtojë besimin diplomatik të nevojshëm për marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Suksesi i negociatave në Antalia, siç vlerëson Cosima Cassel nga qendra kërkimore E3G, do të varet nga demonstrimi i vullnetit politik përtej deklaratave parimore – veçanërisht përmes zgjerimit të rrjeteve elektrike, rritjes së kapaciteteve të ruajtjes së energjisë dhe heqjes së pengesave rregullatore.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme