E diel, 8 Nëntor 2026 Megi dhe Bianka deri në 10:00 Në vijim ora 10:00: Film Family Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

BE: TikTok rrezikon shëndetin e përdoruesve

Efekti i “Rabbit Hole”- i humbjes në spiralen e informacionit po çon në një përplasje të re mes BE-së dhe TikTok-ut. Brukseli e akuzon aplikacionin se rrezikon shëndetin e përdoruesve. TikTok-ut i kanoset një gjobë e rëndë.

Sipas rezultateve paraprake hulumtuese të Komisionit Evropian, TikTok rrezikon përdoruesit e tij përmes rekomandimeve të videove në platformën e tij.

Koncerni mund të përballet me një ndëshkim, pasi algoritmi i saj u shfaq edhe personave veçanërisht të cenueshëm një rrjedhë të pafund videosh të personalizuara, e cila mund të përkeqësojë problemet psikike, njoftoi autoriteti në Bruksel. Sipas Komisionit, algoritmi nxit rrezikun e varësisë, si edhe çrregullimet e të ngrënit dhe ankthin.

Komisioni Evropian e akuzon TikTok-un se nuk e ka kufizuar mjaftueshëm këtë rrezik. Sipas Brukselit, masat e deritanishme mbrojtëse kanë rezultuar të paefektshme. Edhe butoni “Nuk jam i interesuar” nuk mjafton për të ndryshuar rekomandimet në rrjedhën e videove (feed), thuhet në vlerësimin e Komisionit.

Reklamë

Në fokus “For You”

Fokusi i procedurës është veçanërisht faqja “For You”, e cila synon t’u shfaqë përdoruesve sa më shpejt përmbajtje që përputhen me interesat e tyre.

Komisioni Evropian kërkon ndryshime në këtë funksion, pasi druhet nga të ashtuquajturat efekte “Rabbit Hole” (në shqip: efekti i vrimës së lepurit ose efekti i humbjes në spiralen e informacionit të përshkallëzuar).

Me këtë nënkuptohet situata kur një person zhytet aq thellë në një temë, saqë e ka të vështirë të dalë prej saj.

Termi i referohet personazhit kryesor të librit “Alice në Botën e Çudirave”, i cili bie në një vrimë lepuri dhe përfundon në një botë tjetër.

Sipas kritikëve, algoritmi i TikTok-ut mund t’i shtyjë përdoruesit të konsumojnë vazhdimisht përmbajtje të ngjashme, duke i futur gjithnjë e më thellë në të njëjtat tema.

Algoritmet teorikisht mund t’i njohin dhe t’i shfrytëzojnë këto modele sjelljeje për t’i mbajtur përdoruesit sa më gjatë në një platformë.

Komisioni Evropian kritikoi se algoritmi i TikTok-ut personalizon në këtë mënyrë edhe përmbajtje që mund të jenë emocionalisht të dëmshme, duke rrezikuar veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë.

“Ky mekanizëm mund të jetë i dëmshëm kur përmbajtjet që përsëriten pafund lidhen, për shembull, me trishtimin, vetminë ose perceptimin për trupin”, ka vlerësuar Komisioni Evropian. Sipas tij, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj videove të tilla mund të përforcojë probleme ekzistuese psikologjike dhe të ndikojë negativisht në mirëqenien mendore të përdoruesve.

Sipas kërkesës, algoritmi nuk duhet të bazohet më në kohën që përdoruesit kalojnë duke parë një video. Në vend të kësaj, përdoruesve duhet t’u jepet më shumë kontroll mbi përmbajtjen që u shfaqet në faqen “For You”, duke u mundësuar atyre të përcaktojnë më qartë se çfarë duan të shohin në TikTok. Qëllimi është që përdoruesit të mos drejtohen vetëm nga rekomandimet automatike të algoritmit, por të kenë ndikim më të madh në përzgjedhjen e përmbajtjes që u shfaqet./dw

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.