Dy cisterna të tjera nafte janë përfshirë nga flakët në Ngushticën e Hormuzit, pasi dyshohet se kanë goditur mina detare gjatë përpjekjes për të kaluar nëpër këtë korridor strategjik.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, anijet po lundronin në rrugë të paautorizuara dhe kishin çaktivizuar sistemet e gjurmimit. Deri më tani nuk janë bërë të ditura emrat apo kombësitë e cisternave. Ndërkohë, shpërthime janë raportuar edhe në disa zona të Iranit jugor, përfshirë ishullin Qeshm, Sirik, Jask dhe Bandar Abbas. Ende nuk ka detaje të plota mbi dëmet e shkaktuara.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për transportin global të naftës dhe gazit, ndërsa përplasjet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë rritur ndjeshëm tensionet në rajon. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund konfliktit vijojnë të jenë të bllokuara.













