Vendosni fjalën kyçe....

Gadi Eisenkot merr mandatin për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve në Izrael



Kreu i partisë së qendrës “Yashar”, Gadi Eisenkot, është ngarkuar nga presidenti izraelit Isaac Herzog për të formuar qeverinë e re, pasi zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar nuk prodhuan një fitues të qartë, përcjell Euronews.

“Presidenti Isaac Herzog ka vendosur t’i besojë Gadi Eisenkotit, kryetarit të partisë ‘Yashar’, detyrën për formimin e qeverisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit, të publikuar të shtunën në mbrëmje.

Vendimi u mor pas konsultimeve që Herzog zhvilloi gjatë ditëve të fundit me përfaqësues të forcave politike, mes tyre Eisenkot dhe rivalin e tij kryesor, kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Sipas njoftimit, pas konsultimeve, grupime parlamentare që përfaqësojnë gjithsej 67 anëtarë të Knessetit mbështetën Eisenkotin, ndërsa 46 deputetë shprehën mbështetjen për Netanyahun. Presidenti e ka ftuar kreun e “Yashar” në rezidencën presidenciale për ceremoninë e marrjes së mandatit, e cila pritet të zhvillohet të dielën.

Kandidati i mandatuar ka 28 ditë kohë për të formuar qeverinë. Nëse është e nevojshme, presidenti mund ta zgjasë këtë afat me maksimumi 14 ditë. Në rast se përpjekja dështon, një lider tjetër mund të marrë mandatin, me një afat deri në 28 ditë. Nëse dështon edhe tentativa e dytë, Knesseti mund të kërkojë që një kandidat i tretë të marrë mundësinë për të formuar qeverinë, me një afat prej 14 ditësh. Nëse asnjëra prej këtyre përpjekjeve nuk rezulton e suksesshme, vendi shkon në zgjedhje të reja.

Eisenkot, ish-shef i ushtrisë izraelite, është zotuar se do të bëjë “gjithçka” për të formuar qeverinë e re.

Megjithatë, si blloku i tij, ashtu edhe ai i Netanyahut, mbetën larg shumicës në parlamentin me 120 vende. Kampi i kryeministrit mori 53 mandate, ndërsa opozita, e udhëhequr nga partia “Yashar”, siguroi 48 vende.

Partia e djathtë “Likud” e Netanyahut mbeti forca më e madhe politike, me 27 mandate, ndërsa partitë arabe siguruan së bashku një numër rekord prej 19 vendesh në parlament.

Zhvillimet vijnë pasi Netanyahu bëri thirrje të shtunën për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar.