Autoritetet iraniane kanë ekzekutuar me varje tre burra të arrestuar gjatë protestave masive antiqeveritare të janarit. Ekzekutimet u kryen në qytetin e Karajit, pasi Gjykata Supreme konfirmoi dënimet me vdekje të dhëna ndaj tyre.
Sipas mediave shtetërore iraniane, të ekzekutuarit janë Hassan Deobad, Hamid Kazemi dhe Reza Zanganeh. Ata ishin shpallur fajtorë për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, si dhe për pjesëmarrje në trazira të armatosura gjatë datave 8 dhe 9 janar.
Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi se tre burrat akuzoheshin për sulme ndaj objekteve publike dhe qeveritare, zjarrvënie dhe shkatërrim të pronës publike. Në aktakuzë pretendohej gjithashtu se kishin përdorur armë zjarri, granata dhe kokteje Molotov.
Një prej incidenteve për të cilat akuzoheshin lidhej me shkatërrimin e një nënstacioni elektrik në Karaj, ngjarje që, sipas autoriteteve, kishte shkaktuar ndërprerje të energjisë në disa zona.
Hassan Deobad ishte arrestuar më 11 janar, nën dyshimin për sulme ndaj objekteve publike dhe nxitje të akteve të dhunshme. Pas ndalimit të tij, dhjetë persona të tjerë u arrestuan, pasi dyshohej se kishin marrë pjesë në trazirat që, sipas gjyqësorit iranian, drejtoheshin prej tij.
Gjykata Revolucionare e Karajit kishte dënuar me vdekje tre të pandehurit kryesorë dhe kishte urdhëruar konfiskimin e pasurive të tyre. Personat e tjerë të përfshirë në çështje u dënuan me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Ekzekutimet u kryen pasi ankimimet e të dënuarve u rrëzuan dhe vendimet morën formë përfundimtare nga Gjykata Supreme.
Shqetësimi i organizatave për të drejtat e njeriut
Ekzekutimet e fundit vijnë në kuadër të një serie dënimesh me vdekje të zbatuara në Iran ndaj personave të arrestuar gjatë protestave antiqeveritare të janarit.
Autoritetet iraniane i kanë lidhur disa prej këtyre çështjeve me akuza për bashkëpunim me SHBA-në dhe Izraelin, duke pretenduar se të arrestuarit ishin përfshirë në veprimtari të organizuara kundër sigurisë kombëtare.
Nga ana tjetër, organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime për mënyrën se si janë zhvilluar proceset gjyqësore ndaj protestuesve, duke raportuar pretendime për parregullsi procedurale dhe rrezikun e ekzekutimeve të personave të arrestuar gjatë demonstratave.
Më 6 nëntor, organizata HRANA raportoi se Hamid Kazemi dhe Hassan Deobad ishin dënuar me vdekje nga Gjykata Revolucionare në Karaj. Dy ditë më vonë, autoritetet iraniane njoftuan ekzekutimin e tyre, së bashku me Reza Zanganeh.


