Hakerët pro-rusë të grupit “Noname057(16)” kanë publikuar një listë me 18 persona që i konsiderojnë “qytetarë armiqësorë ndaj Federatës Ruse”, mes të cilëve zyrtarë të lartë italianë, drejtues të policisë, prokurorë dhe ekspertë të sigurisë kibernetike. Në listë përfshihen edhe ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri italian, Antonio Tajani, drejtori i Policisë Postare, Ivano Gabrielli, si dhe kryeprokurori i Romës, Francesco Lo Voi.
Fushata e hakerëve nisi rreth datës 20 tetor, në të njëjtën periudhë kur në Itali mbërritën emaile kërcënuese për vendosjen e bombave në dhjetëra shkolla dhe në një avion të kompanisë Ryanair që fluturonte nga Letonia drejt Romës. Në subjektin e mesazheve ishte shkruar “Vdekja është afër”, ndërsa ato ishin dërguar përmes një adrese të rreme, që paraqitej si pjesë e Ministrisë së Arsimit të Arabisë Saudite.
Mes personave të përfshirë është edhe Paolo Tassan-Zanin, kryebashkiaku i Avianos, një qytet në provincën e Pordenones, ku ndodhet baza më e rëndësishme ajrore amerikane në Europën Jugore.
Ende nuk është e qartë nëse Tassan-Zanin është përfshirë në listë për të siguruar informacione personale rreth tij apo për të mbledhur të dhëna mbi instalacionin ushtarak. Megjithatë, emri i tij renditet i pari mes 18 personave të cilësuar si “qytetarë armiqësorë ndaj Federatës Ruse”, përpara Antonio Tajanit, Francesco Lo Voit dhe Ivano Gabriellit.
Pesë hakerët që kërkohen prej një viti
Hakerët kanë marrë përgjegjësinë për sulme ndaj sektorit të shpërndarjes ushqimore në Europë dhe më shumë se 350 sulmeve ndaj faqeve të internetit të institucioneve dhe subjekteve private në Itali.
Grupi duket se është i vetëdijshëm se po ndiqet nga afër nga prokuroria e Romës dhe Policia Postare. Në korrik të vitit 2025, Lo Voi dhe Gabrielli morën pjesë në operacionin e madh “Eastuood”, të ndërmarrë kundër hakerëve të lidhur me Kremlinin. Gjatë operacionit u çaktivizuan më shumë se 100 serverë, u arrestuan dy persona, u lëshuan shtatë urdhër-arreste europiane dhe u kryen 24 kontrolle, pesë prej tyre në Itali.
Rreth 1,000 persona që mbështesnin grupin u vunë nën hetim. Mes personave të kërkuar nga prokurorët në Frankfurt janë Olga Evstratova, Mihail Evgeyevich Burlakov, Andrey Stanislavovich Avrosimou, Maxim Lupin dhe Andrey Muravyov.
Hetuesit gjermanë dhe gazetarët e infiltruar
Lista e “Noname” përfshin gjithashtu drejtues të institucioneve gjermane të hetimit dhe gazetarë që kanë investiguar aktivitetin e rrjeteve ruse. Mes tyre janë Holger Münch, drejtori i Zyrës Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA), si dhe prokurori Benjamin Krause, drejtues i Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimeve Kibernetike në Prokurorinë e Frankfurtit.
Në listë gjenden edhe gazetarët Angelique Geray, Michael Alexander Martens dhe Sergej Maier. Geray është kërcënuar me vdekje pasi u infiltrua në një rrjet agjentësh rusë, ndërsa Martens kërkohet nga Moska për nxitje të urrejtjes, pasi i kishte drejtuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky pyetjen: “Çfarë mund të bëjmë për t’ju ndihmuar të vrisni më shumë ushtarë rusë?”. Ndërkohë, Sergej Maier ka realizuar reportazhe në platformën Telegram.
Në listën e publikuar në dark ueb janë përfshirë edhe shtetas francezë që merren me sigurinë kibernetike, mes tyre Amaury-Jacques Garçon, i cili bashkëpunon me Ministrinë e Mbrojtjes për çështjet e sigurisë kibernetike, si dhe Charles Meslay, Livia Tibirna dhe Héloïse Hubert, ekspertë kundër sulmeve të hakerëve në kompaninë Sekoia.
Në shënjestër janë vendosur gjithashtu presidenti austriak i Eurojust-it, Agjencisë Europiane për Bashkëpunimin Gjyqësor Penal, Michael Schmid, si dhe Edvardas Šileris, drejtori i Qendrës Europiane për Luftën kundër Krimit Kibernetik.










