Ministrja Spahiu prezanton reformën e mbrojtjes sociale: “Baby Bonus” kthehet në mbështetje mujore deri në moshën 5-vjeçare

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Klodiana Spahiu, përmes një video-mesazhi të publikuar nga Korça, ka prezantuar modelin e ri të përkujdesit për fëmijët dhe reformat kryesore financiare që parashikohen në sektorin social. Në mesazhin e saj, ministrja vuri theksin te kalimi nga modeli i kujdesit institucional drejt mbrojtjes në familje dhe komunitet, duke deklaruar se “çdo fëmijë meriton një familje, çdo familje meriton mbështetje”.
Qyteti i Korçës është përzgjedhur si hapi i parë i këtij transformimi kombëtar. Spahiu nënvizoi se “me Korçën përcjellim sot një mesazh të qartë: mbrojtja e fëmijës nuk është thjesht një detyrim institucional, por një përgjegjësi kombëtare”.
Ajo sqaroi se përmes ligjit të ri për kujdesin alternativ dhe planit të garancisë për fëmijët 2026-2030, po ndërtohet një sistem që vendos fëmijën në qendër, duke synuar që “në bashkëpunim me pushtetin vendor, Bashkimin Evropian dhe UNICEF, synojmë ta zgjerojmë këtë model në të gjithë Shqipërinë”.
Në aspektin financiar, ministrja detajoi alokimet e parashikuara në Buxhetin 2027, ku përfshihet një ndryshim me rëndësi në skemën e mbështetjes për familjet në nevojë. Spahiu njoftoi se “me Buxhetin 2027 parashikojmë rishikimin e ‘Baby Bonus’, duke e kthyer në mbështetje mujore për fëmijët deri në 5 vjeç të familjeve me të ardhura të pakta”. Për këtë masë janë caktuar “për herë të parë 50 milionë euro”, të cilat do të përkthehen në pagesa mujore duke nisur “nga 1 korriku i vitit 2027”.
Përveç kësaj skeme, buxheti i vitit 2027 do të përfshijë “1.4 miliardë lekë për 28 institucione të kujdesit shoqëror”, si dhe një fond prej “480 milionë lekë për të mbështetur bashkitë e vendit për ngritjen dhe zgjerimin e shërbimeve sociale territoriale”.
Në përmbyllje të mesazhit, ministrja Spahiu theksoi filozofinë e këtyre reformave, duke u shprehur se “suksesi i një qeverie nuk matet vetëm me zhvillimin ekonomik, por edhe me mënyrën se si kujdeset për fëmijët e saj. Asnjë fëmijë pa përkujdesje, asnjë familje pa mbështetje”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




