Katër persona janë arrestuar dhe shtatë të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë. Sipas Policisë, protestuesit kundërshtuan dhe goditën me sende të forta e lëndë piroteknike punonjësit e uniformave blu, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash.
Në kuadër të hetimeve, në pranga kanë rënë K. N., 24 vjeç, M. K., 19 vjeç, B. M., 19 vjeç dhe Z. N., 34 vjeç, ndërsa shtatë persona të tjerë janë vënë nën procedim penal.
Gjatë kontrollit fizik të 24-vjeçarit K. N., policia thotë se ka gjetur një sasi lënde narkotike kanabis dhe një send metalik shpues. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij janë sekuestruar një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera metalike.
Në kuadër të masave të marra për shkeljet gjatë tubimit, janë plotësuar gjithashtu 12 procesverbale për kundërvajtje administrative, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026. Njëra prej gjobave, në vlerën 500 mijë lekë, i është vendosur një shtetasi që, sipas policisë, i maskuar me kapuç, ka goditur me gurë në drejtim të efektivëve dhe godinës së Kryeministrisë.
Policia pretendon se ky person nuk iu është bindur disa thirrjeve të punonjësve të saj për të ndalur veprimet e dhunshme dhe për t’u larguar nga tubimi.
Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


