Vendosni fjalën kyçe....

Alarm për ujin e pijshëm në Vlorë, analiza në kopshtin nr. 10 evidenton ndotje fekale



Shqetësim për cilësinë e ujit të pijshëm në Vlorë, pas rezultateve të analizave të kryera në depozitën e kopshtit nr. 10, ku është evidentuar prani e ndotjes fekale. Paralelisht, në Spitalin Rajonal të Vlorës raportohet për shtim të pacientëve me simptoma diarreje, mes tyre fëmijë dhe të rritur.

Problematika u bë shqetësuese pas paraqitjes në spital të disa fëmijëve me probleme shëndetësore, pas konsumimit të ujit në një kopsht të qytetit. Sipas informacioneve të siguruara, analizat e para të mostrave të marra nga depozita kishin evidentuar prani të amoniakut dhe mungesë të klorit. Ndërsa rezultatet e fundit kanë konstatuar edhe ndotje fekale.

Prania e baktereve si E. coli në ujin e pijshëm mund të tregojë ndotje fekale dhe përbën rrezik për shëndetin publik. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar nëse rastet e diarresë të regjistruara në spital kanë lidhje të drejtpërdrejtë me cilësinë e ujit në kopsht.

Sipas të dhënave, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) Vlorë po monitoron rrjetin e ujësjellësit dhe po kryen analiza çdo dy orë. Në analizat e mëparshme, uji i marrë drejtpërdrejt nga rrjeti ishte raportuar i pastër, ndërsa rezultatet nga depozita e kopshtit kanë ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e furnizimit në këtë institucion.

Ndërkohë, priten sqarime nga institucionet përgjegjëse për të përcaktuar nëse uji i furnizuar në qytet është i sigurt për konsum, si dhe për masat që do të ndërmerren për të parandaluar rrezikun e mundshëm për shëndetin e qytetarëve.