Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se protestat studentore kanë goditur rëndë kryeministrin Edi Rama, të cilin e cilësoi si një “kufomë politike”.
Në një reagim të shpërndarë përmes zyrës së medias së PD-së, Berisha tha se revolta studentore vijon e fuqishme dhe se Partia Demokratike do të organizojë protesta kombëtare në mbështetje të saj.
“Ndërkohë, revolta studentore ka vazhduar e fuqishme.
Partia Demokratike ka organizuar dhe organizon përsëri protesta kombëtare në mbështetje të studentëve dhe mund të them se goditjet që ka marrë Edi Rama nga revolta studentore e kanë bërë atë një kufomë politike krejtësisht të pashpresë, e kanë damkosur para shqiptarëve dhe mbarë botës.
Nuk po ndalem më gjatë por dua t’ju falënderoj për vëmendjen dhe t’ju ftoj të adresoni pyetjet dhe komentet tuaja që të debatojmë së bashku”, deklaroi Berisha.













