Kriza humanitare në Gaza rëndohet nga moti, reshjet e dendura përmbytin kampet e 1.6 milionë palestinezëve të zhvendosur

Ndërsa shumica e shtëpive janë dëmtuar ose shkatërruar nga lufta, banorët e Gazës po përballen me një përkeqësim të mëtejshëm të kushteve humanitare si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që përshkuan rajonin. Shirat e dendur që përfshinë pjesë të Lindjes së Mesme kanë përmbytur masivisht kampet e improvizuara ku janë strehuar familjet e zhvendosura.
Sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet lokale në enklavë, vetëm gjatë ditës së fundit “të paktën 70,000 tenda janë përmbytur”, ku dhjetëra mijëra palestinezë strehoheshin. Megjithëse nuk u raportua për viktima në njerëz, disa persona kanë mbetur të plagosur, ndërkohë që uji ka dëmtuar përfundimisht dyshekët, batanijet dhe pajisjet e vetme të mbijetesës.
Katastrofa mjedisore godet një popullsi që ndodhet pothuajse tërësisht pa strehë fikse. Më shumë se 1.6 milionë banorë – nga një popullsi prej 2.1 milionësh në Gaza – jetojnë aktualisht në tenda apo strehimore të improvizuara. Të dhënat e OKB-së tregojnë se rreth 80% e strukturave në enklavë janë dëmtuar përgjatë konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, ku “dy të tretat janë shkatërruar”, duke i detyruar qytetarët të zhvendosen disa herë ose të kërkojnë strehë në ndërtesa të rrënuara me rrezik shembjeje.
Lidhur me situatën emergjente, Komiteti i Lartë Presidencial për Çështjet e Kishës në Palestinë doli me një apel publik për ndihmë urgjente humanitare. Organizata bëri me dije se rreth 950,000 njerëz jetojnë në zona të cenueshme nga përmbytjet, nga të cilët më shumë se 400,000 ndodhen në territore me shkallë të lartë rreziku.
Në deklaratën e tij, komiteti nënvizoi se “reshjet e dendura të shiut po e përkeqësojnë një situatë humanitare tashmë katastrofike, duke i lënë familjet e zhvendosura dhe ata që kanë humbur shtëpitë e tyre të ekspozuara ndaj elementëve dhe të privuar nga nevojat më themelore të jetës”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.






