“Kam punuar në bunkerin e Hitlerit përpara se t’u arratisja nazistëve”, historia e jashtëzakonshme e 101-vjeçarit polak

8 Nëntor 2026 | 13:12

Ches Black është një nga të mbijetuarit e Luftës së Dytë Botërore, historia e të cilit përmbledh tragjedinë, guximin dhe qëndresën përballë një prej periudhave më të errëta të historisë njerëzore.

Sot 101 vjeç, ai jeton në një fshat në Oxfordshire të Britanisë së Madhe, por jeta e tij ka qenë larg së zakonshmes. Në vitin 1939, kur ishte ende adoleshent, trupat gjermane e morën nga shtëpia e tij në Varshavë, në kohën kur Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik pushtuan Poloninë.

“Ne nuk i donim. Nuk donim as rusët, as gjermanët”, kujton Black në një intervistë për BBC-në.

Pas pushtimit të Varshavës, ai u nda me forcë nga familja. Një nga kujtimet më të dhimbshme të tij mbetet momenti kur u largua me një kamion, duke u përshëndetur me miqtë dhe tezen, pa e ditur se nuk do ta shihte më kurrë nënën e tij.

Punoi në ndërtimin e bunkerit ku vdiq Hitleri

Pasi u kap nga gjermanët, Black u detyrua të punonte për Organizatën Gjermane të Transportit. Gjatë kësaj periudhe, ai u përfshi edhe në punimet e para të një strukture nëntokësore në kopshtin e Kancelarisë së Vjetër të Rajhut në Berlin.

Ajo strukturë do të njihej më vonë si Führerbunker, bunkeri ku Adolf Hitleri kaloi muajt e fundit të jetës dhe ku kreu vetëvrasje më 30 prill 1945, së bashku me Eva Braun.

Black tregon se qëndroi aty vetëm një ditë, duke transportuar materiale dhe duke shtruar rërë.

Në atë kohë nuk e dinte rëndësinë e vendit ku po punonte. Vetëm pas përfundimit të luftës, kur pa fotografitë e bunkerit në një gazetë polake, kuptoi se çfarë kishte ndërtuar.

Arratisja nga gjermanët dhe shpëtimi nga partizanët italianë

Një tjetër kapitull i jetës së tij lidhet me Italinë, ku ndodhej nën kontrollin e forcave gjermane. Gjatë një udhëtimi me kamion, automjeti u qëllua me armë zjarri dhe Black shfrytëzoi momentin për t’u arratisur.

Ai qëndroi për disa ditë pa ushqim dhe ujë, derisa u gjet nga një grup partizanësh italianë që luftonin kundër regjimit fashist.

Më pas, ai arriti të gjente forcat britanike, të cilat e ndihmuan të largohej nga Italia.

“Dëgjuam artilerinë, fronti po afrohej. Gjermanët ishin në njërën anë dhe një divizion tankesh angleze në anën tjetër. Ata bombardonin njëri-tjetrin gjatë gjithë ditës, por natën gjithçka ndaloi dhe ne shkuam drejt britanikëve”, kujton ai.

Pas luftës, Britania u bë shtëpia e tij e re

Pas mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar, Black iu bashkua Korpusit të Dytë Polak dhe luftoi përkrah forcave britanike.

Megjithatë, përfundimi i luftës nuk nënkuptoi rikthimin në shtëpi. Polonia kaloi nën ndikimin dhe kontrollin sovjetik, duke bërë që për shumë ushtarë polakë të vendosur në Britani kthimi në atdhe të mos ishte më një mundësi.

“Ushtari polak luftoi duke menduar se do të kthehej në shtëpinë e tij, te familja. Papritur e gjeti veten pa shtëpi, pa asgjë. Anglia ishte toka jonë e premtuar”, shprehet Black.

Duke reflektuar mbi përvojën e tij në luftë, 101-vjeçari thotë se ajo i mësoi rëndësinë e solidaritetit dhe shoqërisë.

“Kur je në betejë, nuk mendon për veten, por për të gjithë”, thotë ai.

Sot, ndërsa shumë prej atyre që përjetuan Luftën e Dytë Botërore nuk janë më gjallë, Ches Black është pjesë e një brezi gjithnjë e më të vogël dëshmitarësh të drejtpërdrejtë të historisë.

“Kam qenë me fat, po. Të gjithë miqtë dhe njerëzit që njihja janë zhdukur. Është shumë e çuditshme. Po filloj një jetë të re”, përfundon ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tragjedi në brigjet e Senegalit, mbytet varka me emigrantë, të paktën 21 viktima

Të paktën 21 persona kanë humbur jetën pasi një varkë që transportonte emigrantë u përmbys në brigjet e Senegalit. Autoritetet kanë konfirmuar viktimat, ndërsa operacionet...
11:28 | 08/11/2026

Aksident tragjik në Kroaci, autobusi me përmbyset në autostradë, dy të vdekur dhe 33 të plagosur

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe rreth 33 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti të rëndë rrugor në Kroaci, ku...
10:57 | 08/11/2026

Zjarr në një anije mallrash në Gjirin e Omanit, shpëtohen 22 persona

Garda Kombëtare e Emirateve të Bashkuara Arabe ka shpëtuar 22 persona pasi një zjarr shpërtheu në bordin e një anijeje mallrash në Gjirin e Omanit....
09:54 | 08/11/2026