Më shumë vajza e djem po vaksinohen ndaj “HPV”-së, ISHP : Vaksina HPV 9 valente rrit interesin edhe për 14-20 vjeç

Shëndet | 7 minuta më parë

Interesi për vaksinimin kundër HPV-së po rritet, jo vetëm tek vajzat, por edhe tek djemtë 13 vjeçarë. Prindërit po tregohen gjithnjë e më të ndërgjegjshëm për rëndësinë e kësaj vaksine, e cila mbron nga infeksioni që shkakton virusi papilloma dhe disa lloje kanceri që lidhen me të.

Shefja e programit kombëtar të vaksinimit Rovena Daja thotë së kalimi nga vaksina 4-valente në atë 9-valente, ka ndikuar në rritjen e interesit , madje edhe për ata të grumoshës 14 – 20 vjeç që për një arsye të caktuar nuk i janë vaksinuar sipas kohës së kalendarit të vaksinimit.

“Interesi është rritur edhe më shumë, sepse në momentin kur ne aplikonim vaksinën HPV katërvalente, ndoshta prindërit pyesnin se përse nuk kishim vaksinën HPV nëntëvalente. Aktualisht kemi futur vaksinën HPV nëntëvalente. Megjithatë, të gjitha shtamet që përmban vaksina HPV katërvalente janë ndër më të rrezikshmet, pasi shkaktojnë kancer dhe lytha gjenitale. Ndërsa varianti i ri i vaksinës, që po aplikohet aktualisht, HPV nëntëvalente, përmban edhe shtame të tjera, të cilat na ofrojnë mbrojtje më të gjerë ndaj HPV-së”, u shpreh shefja e programit Kombëtar të vaksinimit.

Bazuar në të dhënat e ISHP , Interesant është fakti se deri më tani numri i djemve të vaksinuar është më i lartë se ai i vajzave. Prindërit e djemve po i përgjigjen pozitivisht kësaj fushate, duke i çuar fëmijët për vaksinim pa hezitim dhe pa raportuar problematika nga aplikimi.

“Madje, nuk kanë shumë pyetje. Thjesht paraqiten dhe thonë se duan t’i bëjnë të dyja vaksinat. Kështu, në të njëjtën ditë aplikohen vaksina kundër difterisë dhe tetanozit, e cila bëhet në moshën 13 vjeç, si dhe vaksina kundër HPV-së, që aplikohet gjithashtu në këtë moshë. Njëra vaksinë bëhet në njërin krah dhe tjetra në krahun tjetër”, tha ajo.

Një risi është edhe për gratë në moshë më të madhe që kanë histori në familje me kancerin e qafës së mitrës të cilat mund të vaksinohen gjithashtu falas.

“Nëse paraqiten me rekomandimin e mjekut mund të aplikojnë”, tha Daja.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, deri tani janë përdorur 11 200 doza të vaksinës HPV 9-valente në të gjithë vendin, ndërsa pritet të mbërrijnë edhe 11 200 doza të tjera.Mbrojtja është më e lartë kur vaksina aplikohet përpara ekspozimit ndaj virusit, ndaj mosha 13 vjeç mbetet periudha optimale. Përfitimet e kësaj strategjie pritet të bëhen të dukshme në vitet e ardhshme, siç tregojnë përvojat e vendeve  e të tjera si Australia dhe Anglia që po dëshmojnë zero raste nga ky kancer .

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme