'Qeveria gjen miliarda për një pakicë, ndërsa mbi 800 mijë pensionistë numërojnë lekët për të mbyllur muajin”. Me këtë akuzë ndaj qeverisë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar nivelin e pensioneve në Shqipëri, të cilat, sipas saj, mbeten më të ulëtat në rajon.
Në një videomesazh të publikuar këtë të diel nw rrjetet e saj sociale, Tabaku kundërshtoi atë që e cilësoi si propagandë të qeverisë për indeksimin e pensioneve, duke theksuar se rritja është vetëm 900 lekë në muaj.
Për të treguar diferencën me vendet fqinje, deputetja demokrate solli shifrat e pensioneve mesatare në Shqipëri. Sipas saj, pensioni mesatar në fshat është rreth 125 euro, ndërsa në qytet 209 euro.
Tabaku theksoi se pensioni mesatar i fshatit në Shqipëri është më i ulët se pensioni minimal në Kosovë, i cili arrin në 150 euro, si dhe se pensioni mesatar prej 185 eurosh në Bosnjë. Ndërkohë, sipas saj, pensioni mesatar i qytetit në Shqipëri nuk arrin as gjysmën e pensionit minimal në Malin e Zi.
Deputetja e PD-së e lidhi këtë situatë edhe me informalitetin e lartë në vend, duke deklaruar se për çdo pensionist ka vetëm 1.36 kontribues.
“Ne nuk krahasohemi dot as me rajonin dhe një nga shkaqet e kësaj situate sigurisht që është informaliteti i lartë, pasi çdo pensionist për pensionin e vet të pleqërisë ka vetëm 1.36 kontribute”, u shpreh ajo.
Tabaku e përqendroi kritikën edhe te mënyra se si qeveria shpërndan fondet, duke e vënë përballë situatës ekonomike të pensionistëve.
“Një qeveri që gjen miliarda për një pakicë, ndërsa mbi 800 mijë pensionistë numërojnë lekët për të mbyllur muajin. Pas një jete pune, meritojnë dinjitet. Ky sistem u lë varfërinë”, deklaroi Tabaku.











Komente
Komento