Krijimi i një force të re politike nga studentët, jashtë Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ka ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e përsëritjes së skenarit serb edhe në Shqipëri. Gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në rrjetet sociale, i pyetur nëse vendi po shkon drejt një modeli të ngjashëm, ku një lëvizje studentore mund të sfidojë partitë tradicionale, kreu i PD-së, Sali Berisha, ka mohuar çdo ngjashmëri me Serbinë.
Ai argumentoi se në rastin serb lëvizja u drejtua nga bota akademike dhe se studentët përballeshin me dhjetëra parti të vogla opozitare, ndërsa në Shqipëri ekziston Partia Demokratike si forcë kryesore opozitare.
Megjithatë, deklarata e Berishës rikthen në vëmendje një pyetje politike; a mund të përfundojë PD e sfiduar nga një lëvizje e re, ashtu siç ndodhi me opozitën serbe?
Pjesë nga bashkëbisedimi
Berisha: Ajo që ndodh në Shqipëri nuk ka lidhje me skenarin serb, atje nuk kishte një parti opozitare si PD
Meri Kurti: Flitet se studentët janë drejt krijimit të një fronti apo partie, ku pjesë e saj nuk do të jenë as Partia Socialiste dhe as Partia Demokratike. A mendoni se po shkohet drejt një skenari serb dhe cilat do të jenë veprimet tuaja?
Sali Berisha: Meri, faleminderit për pyetjen.
Së pari, duke lënë modestinë mënjanë, Sali Berisha me bashkëpunëtorët e tij, duke themeluar Partinë Demokratike në vitin ’90, themeloi pluralizmin politik. Dhe unë kurrë nuk mund të kem asnjë lloj qëndrimi negativ ndaj atyre që duan të krijojnë formacionin e tyre politik.
Pra, për mua, pluralizmi politik është shtyllë kryesore e demokracisë dhe cilido ka të drejtën e tij të veprojë sipas mendimit, dëshirës së tij.
A ka ngjashmëri me skenarin serb, në qoftë se e duan një këshillë miqësore paraprake? Jo, absolutisht! Thjesht miqësore, unë u them se nuk ka ngjashmëri.
Skenari serb, siç e dini zonjë, është skenar i udhëhequr i tëri nga infrastruktura shtetërore e universiteteve të Serbisë.
Me në krye rektorin e Beogradit, me në krye të gjithë dekanët, pra ishte bota akademike zyrtare shtetërore serbe që udhëhoqi lëvizjen e studentëve.
Së dyti, skenari serb ishte një skenar që u zhvillua në dy vite, në 700 e sa ditë.
Së treti, lista studentore në Serbi përballej me një numër prej 30 e sa partish opozitare të vockla që shkonin maksimumi mos gabohem gjer në 7-8%. Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike. Ndaj dhe ajo që u sugjeroj të gjithë atyre, ata kanë shumë të drejtë të ndërmarrin çdo hap, vetëm të mos besojnë në atë që nuk është reale.






