Lëkundjet e forta zgjuan banorët gjatë natës, ndërsa xhamat e dyqaneve u thyen dhe sendet u hodhën nga raftet, autoritetet paralajmërojnë për pasgoditje
Një tërmet me magnitudë 5.7 ballë ka goditur Japoninë qendrore në orët e para të mëngjesit të së dielës, duke lënë të paktën 22 persona të plagosur dhe shkaktuar dëme materiale në disa zona të vendit.
Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze (JMA), lëkundjet u regjistruan në orën 01:04 sipas kohës lokale, me epiqendër në pjesën perëndimore të prefekturës Shizuoka, në një thellësi prej rreth 40 kilometrash nën tokë.
Tërmeti u ndje fuqishëm në prefekturën Aichi, por lëkundjet u përhapën edhe në zona të tjera, përfshirë Shizuoka, Gifu dhe Nagano, si dhe në qytetet Hamamatsu, Kioto dhe Nara. Sipas agjencisë Associated Press, kryeqyteti Tokio nuk u prek nga lëkundjet.
Pamjet e transmetuara nga televizionet japoneze tregojnë dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Në disa zona janë thyer vitrinat e dyqaneve, ndërsa copat e xhamit kanë përfunduar në rrugë. Në një librari, dhjetëra libra kanë rënë nga raftet dhe janë shpërndarë në dysheme.
Sipas raportimeve të mediave lokale, disa prej të plagosurve kanë pësuar lëndime pasi janë rrëzuar në shkallë gjatë përpjekjeve për të dalë nga ndërtesat. Deri tani nuk raportohet për viktima apo lëndime të rënda.
Pas tërmetit, autoritetet japoneze kanë paralajmëruar qytetarët për mundësinë e lëkundjeve të tjera të forta gjatë ditëve në vijim.
Agjencia Meteorologjike Japoneze u ka bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes për të paktën një javë, duke theksuar se dy deri në tri ditët e ardhshme janë veçanërisht të rëndësishme për shkak të rrezikut të pasgoditjeve.
Zyrtari i agjencisë, Ayataka Ebita, paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e rrëshqitjeve të dheut dhe rënies së gurëve në zonat malore, veçanërisht në rast reshjesh shiu.
Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se deri tani nuk është konstatuar ndonjë ndryshim i dukshëm në zonën e Hendekut të Nankait (Nankai Trough), ku shkencëtarët prej kohësh paralajmërojnë mundësinë e një tërmeti shumë të fuqishëm. Sipas vlerësimit paraprak, nuk ka shenja që lëkundjet e së dielës të jenë të lidhura me rrezikun e një tërmeti të tillë.
Tërmeti ka shkaktuar edhe probleme në transportin hekurudhor. Disa shërbime lokale janë pezulluar përkohësisht, ndërsa trenat e shpejtësisë së lartë Shinkansen kanë qarkulluar me shpejtësi të reduktuar në zonat e prekura, si masë parandaluese.
Kontrolle janë kryer edhe në centralin bërthamor Hamaoka, në prefekturën Shizuoka. Kompania Chubu Electric Power, që administron impiantin, ka konfirmuar se nuk janë konstatuar anomali pas tërmetit.
Ndërkohë, gjatë mëngjesit të së dielës është regjistruar edhe një tërmet tjetër me magnitudë 4.3 ballë në prefekturën Kumamoto, në jugperëndim të Japonisë. Për këtë lëkundje nuk janë raportuar menjëherë dëme apo të plagosur.
Japonia është një nga vendet më të ekspozuara ndaj tërmeteve në botë, pasi ndodhet në të ashtuquajturin Unazën e Zjarrit të Paqësorit, një zonë me aktivitet të lartë sizmik. Vendi përballet çdo vit me qindra lëkundje të tokës dhe ka ndërtuar sisteme të avancuara paralajmërimi dhe infrastrukture për përballimin e tyre.
Japan rocked by a magnitude 5.7 earthquake, with at least 24 people injured
The epicentre was located in the city of Shizuoka, at a depth of 41 kilometres.
— NEXTA (@nexta_tv) November 8, 2026










