Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetarit holandez Vincent van Gerven Oei, i cili, sipas tij, ndodhet në arrest nga Policia e Shtetit. Deklaratën Berisha e bëri gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale, pas pyetjes së Milaim Nelës, i cili e cilësoi gazetarin si një prej zërave më kritikë ndaj qeverisë së Edi Ramës.

“Që sot kërkoj lirimin e tij të menjëhershëm. Gazetari në fjalë është një kritik i zhvillimeve në Shqipëri, ndër më objektivët. Ky gazetar nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike, por një gjë është e sigurt që ky gazetar e do Shqipërinë”, u shpreh Berisha.

Ai vlerësoi shkrimet dhe qëndrimet e gazetarit për zhvillimet në vend, duke thënë se nuk i di arsyet që e lidhin atë kaq shumë me Shqipërinë, por e konsideron një nga gazetarët më të mirë për pasqyrimin e realitetit shqiptar.

Në vijim, Berisha bëri edhe një paralajmërim ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ky i fundit mund të ndërmarrë veprime kundër personave që i konsideron armiq personalë.

“Unë kërkoj urgjentisht lirimin e tij. Sikundër kërkoj të mos e prekë kush, se Edi Rama ndaj armiqve personalë nuk ngurron për asnjë akt”, deklaroi kreu i PD-së.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb