Papa Leoni XIV pritet të mbërrijë në Argjentinë, në një vizitë që zhvillohet mes tensioneve sociale dhe pakënaqësive ndaj politikave ekonomike të presidentit Javier Milei. Në qendër të vëmendjes janë varfëria, pensionet dhe shkurtimet e fondeve për personat në nevojë. Vizita nis të hënën, më 9 nëntor. Ndalesa e parë e Papës do të jetë qendra katolike Cottolengo Don Orione, pranë Buenos Airesit. Aty strehohen rreth 400 persona me aftësi të kufizuara. Por kjo qendër po përballet me vështirësi serioze financiare. Drejtuesit e saj thonë se qeveria ka ndërprerë furnizimin me medikamente, ushqime të posaçme dhe pelena. Sipas tyre, këto produkte nuk janë dërguar prej një viti dhe çështja ka përfunduar në gjykatë. Pikërisht këtu dalin në pah dallimet mes Papës dhe presidentit argjentinas. Leoni XIV ka vënë theksin te dinjiteti njerëzor dhe mbrojtja e shtresave më të dobëta. Ndërsa Javier Milei mbështet një politikë ekonomike që synon uljen e shpenzimeve shtetërore dhe nxitjen e konkurrencës. Që prej ardhjes në pushtet, në dhjetor të vitit 2023, Milei ka ndërmarrë shkurtime të mëdha në buxhet. Ai argumenton se këto masa janë të nevojshme për të luftuar inflacionin dhe për të stabilizuar ekonominë. Por pasojat janë ndier te pensionistët dhe shërbimet sociale. Sipas organizatës kërkimore Mate, pensionistët që marrin pensionin minimal kanë humbur rreth 30 për qind të fuqisë blerëse. Pakënaqësia ka sjellë protesta të përjavshme përpara Kongresit argjentinas. Në njërën prej tyre, një protestues mbante një pankartë ku shkruhej: “Na shpëto Papa Leoni XIV, Milei po na vret”.