Mësuesi i edukimit fizik në shkollën “Hajredin Beqari” në Selenicë, Albano Ameti, është paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ku pritet të njihet me vendimin për masën e sigurisë ndaj tij.
Ameti akuzohet për ngacmim seksual ndaj disa nxënëseve të mitura, ndërsa çështja është bërë objekt hetimi pas denoncimeve të vajzave.
Në dëshmitë e dhëna përpara policisë, nxënëset kanë rrëfyer edhe një episod gjatë një ore mësimi në palestrën e shkollës. Sipas tyre, gjatë zhvillimit të orës, mësuesi u kishte drejtuar udhëzime si: “Drejtoni gjoksin, shpatullat drejt, këmbët bashkuar”.
Vajzat kanë deklaruar se i kanë perceptuar këto komente si ngacmim seksual.
Megjithatë, nga materialet e bëra publike deri më tani nuk rezultojnë komunikime private përmes telefonit, mesazhe apo takime individuale mes mësuesit dhe nxënëseve. Pretendimet e publikuara lidhen kryesisht me fjalët që ai dyshohet se ka përdorur gjatë orëve të edukimit fizik, në prani të klasës.












