Akuzohet nga 7 nxënëse për ngacmim seksual, gjykata merr vendimin për mësuesin 35-vjeçar
Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për mësuesin e edukimit fizik, Albano Ameti, 35 vjeç, i ndaluar pas denoncimeve të shtatë nxënëseve të mitura për ngacmime të dyshuara seksuale në ambientet e shkollës.
Vendimi u mor këtë të diel, pas seancës për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj 35-vjeçarit. Në bazë të këtij vendimi, Ameti do të hetohet në gjendje të lirë, por duhet të paraqitet pranë autoriteteve në përputhje me detyrimet e vendosura nga gjykata.
Rasti u bë publik më 6 nëntor, kur shtatë nxënëse të shkollës së bashkuar “Hajredin Beqari”, në Selenicë, denoncuan mësuesin për sjellje të papërshtatshme dhe ngacmime të dyshuara seksuale gjatë orëve të mësimit.
Vajzat janë të moshave 14 deri në 17 vjeçe. Pas kallëzimit, Policia e Vlorës ndërhyri dhe ndaloi mësuesin, i cili kishte rreth tre muaj që ishte punësuar në stafin pedagogjik të shkollës.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



