
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të mblidhet të hënën, më 9 nëntor, pas disa muajsh pa zhvilluar mbledhje. Në fokus të diskutimeve do të jenë ndryshimet që kërkon Kodi Zgjedhor në kuadër të hartës së re territoriale, me të cilën vendi pritet të zhvillojë zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, veçanërisht sa i përket mënyrës së zgjedhjes së këshillave bashkiakë.
Bashkëkryetarët e komisionit, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, kanë rënë dakord për datën e mbledhjes, në të cilën do të diskutohen detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore në kuadër të reformës zgjedhore.
Përveç përshtatjes së kuadrit zgjedhor me hartën e re territoriale, komisioni duhet të shqyrtojë edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit Evropian për reformën zgjedhore. Në raportin e fundit të progresit për Shqipërinë, Komisioni Evropian vuri në dukje se disa rekomandime të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias mbeten ende të pazbatuara, duke theksuar nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në komision, Oerd Bylykbashi, deklaroi se PD mbështet sistemin me lista 100 për qind të hapura, edhe për zgjedhjen e këshillave bashkiakë. Sipas tij, përfaqësimi i partive duhet të garantohet mbi bazën e proporcionalitetit kombëtar dhe listat e hapura duhet të zëvendësojnë sistemin aktual me lista të mbyllura për këshillat bashkiakë.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste nuk ka paraqitur ende një propozim për sistemin zgjedhor. Përfaqësuesit e saj kanë deklaruar se, nëse nuk arrihet një marrëveshje mes palëve, mazhoranca do të vijojë e vetme procesin e reformës.
Mandati i komisionit përfundon në fund të nëntorit dhe, sipas qëndrimit të bërë publik nga mazhoranca, afati nuk pritet të shtyhet. Komisioni nisi punën në mesin e nëntorit të vitit 2025 dhe deri tani produkti i vetëm i tij është një projektligj i veçantë për financimin e partive politike.