Drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës njofton se synon të punësojë 20 specializantë të rinj deri në fund të këtij viti. Institucioni po pret gjithashtu miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë për hapjen e vendeve të punës për personel mjekësor me arsim të mesëm përkatës.
Drejtori i spitalit, Sasho Stoshevski, bëri të ditur se specializantët që pritet të punësohen janë në vitin e parë, të dytë dhe të tretë të studimeve të specializimit. Sipas tij, ky hap do të ndihmojë në plotësimin e ekipit të mjekëve specialistë. Për punësimin e stafit me shkollim të mesëm, institucioni është në pritje të pëlqimit nga ministria dhe pret interesim nga kandidatët për pozitat që do të hapen.
Të lidhura
None found
Stoshevski vuri në dukje se gjatë katër viteve të fundit, 170 punonjës kanë dalë në pension, ndërsa janë realizuar vetëm tetë punësime, çka ka krijuar mungesë në personel. Ai tha se një vështirësi e veçantë paraqitet te anesteziologët: dy prej tyre pritet t’i përfundojnë studimet specialistike deri në fund të vitit 2027, me synimin që edhe ky ekip të plotësohet.
Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës i shërben rajonit verilindor të RMV-së, ku jetojnë rreth 200 mijë banorë. Punësimi i specializantëve të rinj pritet të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët e zonës.







