Gadi Eisenkot ka marrë zyrtarisht mandatin për formimin e qeverisë së re të Izraelit. Presidenti Isaac Herzog ia dorëzoi mandatin këtë të diel, gjatë një ceremonie në rezidencën presidenciale, ndërsa opozita vijon negociatat për të siguruar shumicën parlamentare që do t'i jepte fund qeverisjes së Benjamin Netanyahut.

Drejtuesi i partisë Yashar do të ketë 28 ditë kohë për të formuar kabinetin e ri, me mundësinë e një shtyrjeje prej 14 ditësh të tjera nga presidenti, nëse do të jetë e nevojshme.

Gjatë ceremonisë, Eisenkot bëri thirrje për një qeveri që të përfaqësojë të gjithë qytetarët izraelitë, pas asaj që ai i cilësoi si vite të vështira për vendin.

“Pas viteve të vështira që kemi kaluar, këtë herë duhet t'i bëjmë gjërat ndryshe. Këtë herë duhet të jetë për të mirën e të gjithë izraelitëve. Ditët kur qytetarët ndiheshin të përjashtuar nga qeveria e tyre duhet të marrin fund dhe të mos kthehen më”, deklaroi ai.

Eisenkot u bëri thirrje të gjitha forcave politike të bashkëpunojnë për formimin e qeverisë, duke theksuar se dera e tij mbetet e hapur për këdo që është i gatshëm të marrë përgjegjësi në këtë moment.

Ai paralajmëroi gjithashtu se kushdo që do të pengojë krijimin e qeverisë për arsye personale dhe jo për çështje thelbësore, do të mbahet mend si dikush që nuk arriti të ndihmonte Izraelin në një periudhë emergjence.

67 deputetë mbështesin Eisenkotin, por shumica parlamentare mbetet e pasigurt

Gjatë konsultimeve të zhvilluara javën e kaluar nga presidenti Herzog, Eisenkot mori mbështetjen e 67 deputetëve, ndërsa Netanyahu siguroi 46.

Në mbështetje të Eisenkotit u shprehën edhe dy partitë arabe, Ra'am dhe Lista e Përbashkët, të cilat së bashku kanë 19 vende në parlament. Megjithatë, rekomandimi i tyre për mandatimin e tij nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të bëhen pjesë e koalicionit qeverisës.

Rezultatet e zgjedhjeve kanë krijuar një ngërç politik. Blloku i Netanyahut fitoi 53 vende, ndërsa opozita 48, duke mbetur të dyja larg shumicës prej 61 deputetësh që nevojitet për të formuar qeverinë.

Një zhvillim i rëndësishëm është qëndrimi i partisë ultraortodokse United Torah Judaism (UTJ), aleate tradicionale e Netanyahut, e cila vendosi të mos mbështesë asnjë kandidat për kryeministër.

Vendimi vjen mes tensioneve të raportuara ndërmjet kësaj partie dhe Netanyahut, ndërsa drejtuesit e opozitës kanë shprehur gatishmëri për të përfshirë partitë ultraortodokse në koalicionin e ardhshëm dhe kanë nisur negociatat me to.

Nga ana tjetër, Netanyahun e mbështetën Likud, partia Otzma Yehudit e ministrit të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, Partia Sioniste Fetare e ministrit të Financave Bezalel Smotrich, Zehut e Moshe Feiglin dhe Shas e Arye Deri.

Çfarë ndodh nëse Eisenkot nuk arrin të formojë qeverinë?

Sipas ligjit izraelit, nëse Eisenkot nuk arrin të formojë qeverinë brenda afatit, njofton presidentin se ka dështuar ose kabineti i tij nuk merr votëbesimin në parlament, Herzog duhet të vendosë brenda tri ditësh nëse do t'ia besojë mandatin një deputeti tjetër.

Kandidati i dytë do të ketë 28 ditë kohë për të formuar një koalicion, pa mundësi shtyrjeje. Nëse edhe kjo përpjekje dështon, nis një periudhë 21-ditore gjatë së cilës të paktën 61 deputetë mund t'i kërkojnë presidentit t'ia japë mandatin një kandidati të caktuar. Ky i fundit do të ketë vetëm 14 ditë për të formuar qeverinë.

Nëse të gjitha përpjekjet dështojnë, parlamenti shpërndahet dhe Izraeli shkon në zgjedhje të reja. Ndërkohë, mbeten të mundshme edhe skenarë të tjerë, përfshirë një qeveri uniteti mes Netanyahut dhe pjesëtarëve të bllokut të Eisenkotit, ose formimin e një qeverie pakice.

Parlamenti i ri izraelit pritet të betohet të martën, më 10 nëntor. Derisa një qeveri e re të marrë votëbesimin dhe të nisë detyrën, Benjamin Netanyahu do të vazhdojë të jetë kryeministër në detyrë