Aktualitet

Buxheti 2027/ Llogariten fonde edhe për 15 bashkitë që do të shkrihen. Kryesojnë Tirana, Durrësi dhe Elbasani!

Me buxhetin e ri 2027, i cili konsiderohet rekord dhe kap shifrën e mbi 10 miliardë eurove, një pjesë e konsiderueshme do të transferohet edhe në drejtim të pushtetit vendor.

I planifikuar për 61 bashki, buxheti 2027 për pushtetin vendor do të jetë në vlerën e 114.6 miliardë lekëve, me një rritje prej 2.4% krahasuar me vitin 2026.

Si çdo vit, në drejtim të bashkive, buxheti i shtetit transferon fonde nëpërmjet transfertave të pakushtëzuara sektoriale.

Sipas projektbuxhetit të vitit 2027, transfertat nga Buxheti i Shtetit për njësitë e vetëqeverisjes vendore parashikohen në 49.4 miliardë lekë ose 4% më shumë krahasuar me vitin 2026.

Pjesën kryesore e zë transferta e pakushtëzuar e përgjithshme, e cila arrin në 29.3 miliardë lekë, me një rritje prej 5.2% në raport me vitin e mëparshëm. Ndërkohë, transferta e pakushtëzuar sektoriale parashikohet në 19.9 miliardë lekë, me një rritje prej 2.4% krahasuar me vitin 2026.

Në tabelën e transfertave për vitin 2027, ndër përfituesit kryesorë janë Tirana me rreth 7.07 miliardë lekë, Durrësi me 2.69 miliardë, Elbasani me 2.09 miliardë, Fieri me 1.88 miliardë dhe Vlora me 1.69 miliardë lekë.

LEXO EDHE: Paketa Fiskale/ Konfindustria i paraqet Kuvendit vërejtjet, jep alarmin për ekonominë! Rrezikohet edhe stabiliteti i lekut!

Por nga ky fond do të përfitojnë edhe 15 bashkitë, të cilat pritet të humbasin statusin si njësi të veçanta vendore, rreth 6 miliardë lekë.

Maliqi është përfituesi më i madh mes këtyre njësive, me afro 797 milionë lekë, i ndjekur nga Divjaka me 575 milionë, Përrenjasi me 486 milionë dhe Cërriku me 452 milionë lekë. Në total, fondi për 15 bashkitë që do të shkrihen arrin në 5.95 miliardë lekë. Pas konsolidimit të njësive të reja, fondet e papërdorura do t’u kalojnë bashkive pritëse.

Megjithatë, ndryshimi i hartës territoriale ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si do të rishpërndahen fondet, projektet dhe detyrimet financiare mes bashkive që shkrihen dhe atyre që do t’i presin.

Ndërsa projektbuxheti vijon të diskutohet në komisione, në prezantimet e projektbuxhetit nuk jepen hollësi se si do të bëhet konkretisht ky proces, ndërkohë që reforma do të zbatohet brenda të njëjtit vit financiar.