Eisenkot kërkon qeveri uniteti dhe i shtrin dorën Netanyahut: Bashkohuni me qeverinë, por nën drejtimin tim

Botë | 1 minutë më parë

Gadi Eisenkot, i mandatuar për formimin e qeverisë së re izraelite, deklaroi se është i gatshëm të përfshijë në koalicion edhe kryeministrin në largim Benjamin Netanyahu dhe aleatët e tij të krahut të djathtë, por vetëm nëse ata pranojnë një qeveri të udhëhequr prej tij.

Në një deklaratë, Eisenkot tha se nuk sheh asnjë arsye pse anëtarët e partisë Likud të Netanyahut dhe Partisë Fetare Sioniste të ministrit të Financave, Bezalel Smotrich, të mos mbështesin një qeveri të unitetit kombëtar nën drejtimin e tij.

“Nëse ata besojnë vërtet se kjo është një kohë për unitet, atëherë duhet të mbështesin qeverinë që propozoj dhe parimet mbi të cilat ajo do të ndërtohet”, u shpreh Eisenkot.

Zgjedhjet e mbajtura muajin e kaluar nuk prodhuan një shumicë të qartë parlamentare. Netanyahu, i cili ka dominuar politikën izraelite për gati dy dekada dhe ka udhëhequr vendin gjatë konflikteve në Gaza, Liban dhe Iran pas sulmeve të 7 tetorit 2023, humbi mbështetjen e nevojshme për të formuar i vetëm qeverinë.

Gjatë konsultimeve të zhvilluara javën e kaluar me presidentin Isaac Herzog, Eisenkot siguroi mbështetjen e partive që kontrollojnë gjithsej 67 vende në parlament, krahasuar me 46 vende që u rreshtuan pas Netanyahut.

Megjithatë, përparësia e Eisenkot lidhet edhe me rritjen historike të përfaqësimit të partive arabe izraelite në parlament. Analistët e lidhin këtë rezultat me pakënaqësinë e një pjese të elektoratit arab ndaj qeverisë së Netanyahut, ku bëjnë pjesë edhe forca të ekstremit të djathtë që janë akuzuar për retorikë përjashtuese ndaj komunitetit arab.

Tashmë, Eisenkot ka afat për të negociuar me partitë parlamentare dhe për të siguruar shumicën e nevojshme për krijimin e një qeverie të re, në një moment kur Izraeli vijon të përballet me sfida të mëdha në siguri, politikën e brendshme dhe marrëdhëniet rajonale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme