Opozita shqiptare rrezikon të humbasë një tjetër betejë përpara se qytetarët të shkojnë te kutia e votimit. Shkaku është paaftësia e kundërshtarëve të qeverisë për ta kthyer pakënaqësinë qytetare në një alternativë të përbashkët. Secili kërkon ndryshimin, por duket se ndryshimi pranohet vetëm kur mban emrin e tij.
Ftesa e Sali Berishës për kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore duhet vënë në provë. Duhet diskutuar publikisht se kush e zgjedh kandidatin, si matet mbështetja dhe çfarë garancish ka që ai do t’u shërbejë qytetarëve. Këto janë kushte politike serioze. Përplasja për faktin se kush drejton partinë tjetër e mbyll bisedën pa mbërritur te problemi kryesor: si fitohet bashkia dhe si qeveriset ajo më mirë?
Agron Shehaj, Arlind Qori dhe Adriatik Lapaj kanë të drejtë ta kundërshtojnë Berishën. Askush nuk u kërkon të harrojnë kritikat ndaj tij apo të heqin dorë nga bindjet e tyre. Por qytetarët kanë po aq të drejtë t’i pyesin: pasi përjashtoni bashkëpunimin, cili është plani juaj për të fituar?
Një “jo” ndaj Berishës nuk është ende një strategji për të mundur Ramën.
Kryetarin e PD-së e zgjedhin demokratët dhe strukturat e tyre. Partitë e reja mund ta konsiderojnë atë zgjedhje të gabuar. Por, nëse çdo marrëveshje kushtëzohet me ndryshimin e drejtuesit të partnerit, atëherë bashkëpunimi bëhet praktikisht i pamundur.
Zgjidhja duhet kërkuar te kandidati dhe te rregullat. Një përzgjedhje transparente, kritere integriteti, program i përbashkët dhe garanci për pavarësinë e kandidatit do ta vendosnin debatin mbi baza konkrete. Partitë mund të mbeten të ndryshme dhe të mbështesin të njëjtin njeri për të drejtuar qytetin.
Përgjegjësia e Berishës këtu është e drejtpërdrejtë. Nëse oferta është serioze, ai duhet të pranojë një procedurë që nuk kontrollohet nga PD-ja dhe një kandidat që nuk merr urdhra prej saj. Duhet të pranojë edhe mundësinë që emri më bindës të propozohet nga ata që e kritikojnë më fort.
Nëse ai dikton emrin, oferta bie. Nëse kërkon nënshtrim politik, të tjerët kanë të drejtë të largohen. Por nëse pranon rregulla të barabarta, refuzimi duhet shpjeguar përtej fjalisë: “Me Berishën nuk bashkëpunoj”.
Tirana nuk mund të trajtohet si provë force mes kryetarëve opozitarë. Ajo është qyteti i njerëzve që presin shërbime, transparencë dhe përgjegjësi. Kandidati duhet zgjedhur për aftësinë për të drejtuar bashkinë dhe për të zgjeruar mbështetjen qytetare.
Partitë e reja duhet të provojnë se sjellin një kulturë tjetër politike. Mosha e partisë nuk e bën automatikisht të re sjelljen e saj. Nëse kandidatura personale bëhet e panegociueshme dhe çdo kompromis quhet tradhti, kemi përsëri të njëjtin zakon të vjetër 35 vjeçar, ku sejcili kërkon të jetë “mendja” për të tjerët.
Berisha duhet ta konkretizojë ofertën dhe partitë e reja duhet ta sfidojnë me kushte të qarta. Le të shihet publikisht kush pranon rregulla dhe kush kërkon vetëm kontroll.
Përndryshe, përfundimi mund të jetë i hidhur: secili kryetar do të shpallë se ruajti parimet, secila parti do të numërojë votat e veta, ndërsa Rama do të numërojë bashkitë me shumicë.
