E diel, 8 Nëntor 2026 Diagnozë deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Sociale

Dhimbja e barkut, kur duhet të shkoni në urgjencë? Prof. Agron Dogjani tregon shenjat që nuk duhen neglizhuar

Dhimbjet e forta dhe të papritura të barkut, të vjellat e vazhdueshme, temperatura dhe gjakderdhja janë shenja që kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor.

Kirurgu Prof. Dr. Agron Dogjani shpjegon në emisionin “Diagnozë” nga Freskida Miloti, kur dhimbja mund të sinjalizojë një urgjencë kirurgjikale.

Dhimbja e barkut është një nga arsyet e shpeshta që i çojnë pacientët në urgjencë, por jo gjithmonë duhet trajtuar si një shqetësim kalimtar. Në disa raste, ajo mund të sinjalizojë patologji që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë mjekësore.

Në emisionin “Diagnozë” në Vizion Plus, kirurgu Prof. Dr. Agron Dogjani, me mbi 40 vite përvojë në mjekësi dhe mbi 30 vite në kirurgji, foli për shkaqet e dhimbjeve abdominale, shenjat alarmuese dhe gabimet që duhen shmangur.

Reklamë

Kur dhimbja e barkut bëhet urgjencë?

Sipas Prof. Dogjanit, një dhimbje e fortë që shfaqet papritur, veçanërisht kur shoqërohet me temperaturë, të vjella të përsëritura ose përkeqësohet gjatë lëvizjes, nuk duhet neglizhuar.

Ndër patologjitë që mund të kërkojnë trajtim urgjent janë apendiciti, bllokimi i zorrëve, inflamacioni i tëmthit dhe komplikacionet e ulçerës. Edhe dhimbjet që nisin në zonën e mesit dhe përhapen drejt barkut mund të lidhen me gurët në veshka.

Mjeku theksoi se vendosja e diagnozës kërkon vlerësim të kujdesshëm të historisë së pacientit, ekzaminim klinik dhe, sipas rastit, analiza laboratorike dhe ekzaminime imazherike.

“Kujdes nga vetë-mjekimi dhe metodat tradicionale”

Një nga mesazhet kryesore të intervistës ishte shmangia e vetë-mjekimit dhe e metodave tradicionale pa këshillën e mjekut.

Përdorimi i qetësuesve pa vlerësuar shkakun e dhimbjes, vendosja e kupave të ngrohta apo marrja e laksativëve pa udhëzim mjekësor mund të vonojnë vlerësimin e duhur dhe, në disa raste, të përkeqësojnë gjendjen.

Prof. Dogjani nënvizoi se qetësimi i përkohshëm i dhimbjes nuk do të thotë domosdoshmërisht se problemi është zgjidhur.

“Gurët në tëmth dhe dhimbjet që ngatërrohen me problemet e zemrës”

Gjatë bisedës, kirurgu u ndal edhe te gurët në tëmth, të cilët mund të shkaktojnë dhimbje të forta dhe, në raste të ndërlikuara, komplikacione serioze, si pankreatiti.

Ai theksoi gjithashtu se dhimbja në pjesën e sipërme të barkut mund të ngatërrohet me simptoma të sëmundjeve të zemrës. Kur shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje, djersë të ftohta, marramendje apo rënie të tensionit, nevojitet vlerësim urgjent mjekësor.

Intervista në “Diagnozë” përcolli një mesazh të rëndësishëm për publikun: mos e nënvlerësoni dhimbjen e fortë të barkut dhe mos e shtyni kërkimin e ndihmës mjekësore kur shfaqen shenja alarmuese.

Emisioni “Diagnozë”, me autore dhe moderatore Freskida Miloti, transmetohet çdo të dielë në orën 18:00 në Vizion Plus.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.