Gjashtë persona u vranë dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur nga një sulm me armë zjarri në Sheshin Kryesor të Krakovit, në Poloni. Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën pasdite, kur një 24-vjeçar i maskuar dhe i veshur me rroba ushtarake hyri me automjet në sheshin e frekuentuar nga turistët dhe hapi zjarr ndaj njerëzve. Kryeministri polak, Donald Tusk, e cilësoi ngjarjen si akt terrorizmi, ndërsa Prokuroria Kombëtare ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Sulmi ndodhi rreth orës 15:00, duke shkaktuar panik mes qytetarëve dhe turistëve, të cilët u përpoqën të largoheshin me shpejtësi dhe të gjenin strehim në ndërtesat përreth. Pas një shkëmbimi zjarri me policinë, i dyshuari mbeti i plagosur, u arrestua dhe u transportua në spital. Ndërkohë, automjeti i tij u kontrollua për praninë e mundshme të lëndëve shpërthyese.

Gjatë operacionit policor, autoritetet evakuuan banorët e ndërtesave përreth, ndërsa Sheshi Kryesor dhe rrugët pranë tij u rrethuan dhe u mbyllën për qarkullimin.

I dyshuari, i lidhur me ideologjitë e ekstremit të djathtë

I arrestuari është një 24-vjeçar nga qyteti Ostrouiec Śëiętokrzyski, në juglindje të Polonisë. Sipas policisë, ai nuk kishte precedentë penalë dhe nuk rezultonte më parë në regjistrat e autoriteteve. Megjithatë, dispononte leje për armëmbajtje dhe dyshohet se ka përdorur një prej armëve të regjistruara në emrin e tij.

Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kieruiński, deklaroi se i dyshuari kishte bindje shumë radikale dhe shfaqte interes të veçantë për ideologjitë e ekstremit të djathtë.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Uładysłaë Kosiniak-Kamysz, hodhi poshtë raportimet se 24-vjeçari kishte qenë pjesëtar i ushtrisë polake, duke theksuar se ai nuk kishte pasur asnjë lidhje me forcat e armatosura.

Gjashtë viktima, mes tyre edhe një shtetas britanik

Nga të shtënat mbetën të vrarë gjashtë persona, katër gra dhe dy burra. Njëri prej viktimave është identifikuar si shtetas britanik.

Ndërkohë, 16 persona mbetën të plagosur, mes tyre dy efektivë policie dhe vetë autori i dyshuar. Në mesin e të lënduarve ka shtetas nga Austria, Britania e Madhe, Gjermania, Portugalia dhe Rusia.

Gjendja shëndetësore e dy policëve paraqitet tepër e rëndë. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike, pasi ka marrë tri plagë nga arma e zjarrit, ndërsa tjetri gjithashtu ka nevojë për trajtim të specializuar.

Ministri i Brendshëm vlerësoi ndërhyrjen e efektivëve, duke e cilësuar sjelljen e tyre heroike dhe duke theksuar se ata përmbushën detyrën për mbrojtjen e qytetarëve.

Kryeministri Donald Tusk bëri publikë edhe emrat e dy policëve që arrestuan të dyshuarin, Jakub Kulik dhe Artur Moranski, të cilët i cilësoi si heronj të vërtetë.

Në banesën e autorit gjenden të vrarë edhe prindërit dhe motra

Hetimet zbuluan një tjetër ngjarje tronditëse. Gjatë kontrolleve në banesën e 24-vjeçarit, policia gjeti edhe tre persona të pajetë, të cilët rezultuan të ishin pjesëtarë të familjes së tij.

Viktimat janë babai 53-vjeçar, nëna 52-vjeçare dhe motra 20-vjeçare e të dyshuarit. Sipas autoriteteve, të tre kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

Kryeministri Tusk kishte deklaruar më herët se kishte arsye të forta për të dyshuar se viktimat e gjetura në banesë ishin anëtarë të familjes së ngushtë të autorit.

Çfarë armësh përdori autori?

Sipas të dhënave të policisë, 24-vjeçari kishte me vete një pushkë gjysmëautomatike, me dizajn të ngjashëm me modelin AR-15. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se arma ishte e pajisur edhe me një pajisje optike për shënjestrim.

Ai dispononte gjithashtu një pistoletë, ndërsa gjatë kontrolleve në automjetin e tij policia sekuestroi edhe një sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni.

Polonia shpall dy ditë zie kombëtare

Pas masakrës, autoritetet polake shpallën dy ditë zie kombëtare, e cila nisi në mesnatën e së dielës. Gjatë kësaj periudhe, flamujt kombëtarë do të qëndrojnë në gjysmështizë në shenjë respekti për viktimat.

Edhe mediat polake iu bashkuan zisë, duke vendosur shirita të zinj pranë logove dhe duke përshtatur programacionin e tyre. Ndërkohë, janë anuluar aktivitete të ndryshme argëtuese në shenjë solidariteti me familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit nga tragjedia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: