Ka një paradoks në opozitën aktuale. Në një moment kur qeveria e Edi Ramës përballet me akuza të rënda për korrupsion, kur pakënaqësia qytetare është e dukshme dhe kur një brez i ri studentësh po përpiqet të ngrejë zërin kundër padrejtësive, opozita duket se po bën gjithçka për ta zbehur këtë energji. Në qendër të këtij paradoksi qëndron Sali Berisha.
Kryetari i PD e di mirë se si organizohen protestat. E ka dëshmuar në vitin 1992, e ka dëshmuar edhe në vitin 2005. Në ato kohë, sheshet mbusheshin, kishte energji, kishte mobilizim dhe, mbi të gjitha, kishte një objektiv politik të qartë. Ai dinte ta organizonte zemërimin qytetar dhe ta kthente atë në një forcë që prodhonte ndryshim politik.
Cfarë po ndodh me Berishën e sotëm?
Që kur është rikthyer në krye të Partisë Demokratike, kemi dëgjuar pafundësisht të njëjtin refren: “Rama ka rënë, qeveria i ka ditët e numëruara, ky është kryeministri i fundit, protesta e radhës do të jetë vendimtare”.
Kalojnë javët, muajt dhe vitet, ndërsa Rama vazhdon të qeverisë. Ndryshojnë skandalet, ndryshojnë emrat e zyrtarëve të denoncuar, por nuk ndryshon asgjë në repertorin politik të Berishës. Fjalime, akuza, paralajmërime dhe sërish fjalime. A e pyet veten Berisha pse këto thirrje nuk prodhojnë më mobilizimin e dikurshëm?
Sot, pas kaq shumë vitesh, duket sikur ka hyrë në një cikël të pafundmë. Cdo të hënë fjalime, çdo ditë denoncime, çdo javë paralajmërime për fundin e qeverisë. Por ndërkohë, mbështetja nuk rritet, protesta nuk zgjerohet dhe qytetarët nuk po i përgjigjen më thirrjes me të njëjtin entuziazëm.
Ndoshta problemi nuk është se qytetarët nuk janë më të zemëruar. Ndoshta problemi është se ata nuk besojnë më se kjo opozitë mund ta kthejë zemërimin e tyre në një rezultat konkret.
Dhe pikërisht në këtë moment shfaqet një mundësi e re, protesta e studentëve.
Të rinjtë që kanë dalë në rrugë për të ngritur zërin për kërkesat e tyre nuk janë një zgjatim i Partisë Demokratike dhe as një strukturë e saj politike. Ata kanë kauzat, gjuhën dhe mënyrën e tyre të organizimit. Mund të kenë bindje të ndryshme politike, mund të mos jenë dakord me njëri-tjetrin për shumë çështje, por i bashkon një pakënaqësi që meriton të dëgjohet.
Pikërisht për këtë arsye, protesta e tyre ka një vlerë të veçantë.
Ajo mund të sjellë në shesh njerëz që nuk kanë dalë prej vitesh në protestat e organizuara nga opozita. Mund të rikthejë pjesëmarrjen e një brezi që nuk identifikohet me konfliktet e vjetra politike dhe që nuk dëshiron të bëhet pjesë e betejave personale të politikanëve.
Por çfarë po ndodh? Në vend që kjo protestë të mbështetet dhe të respektohet në autonominë e saj, po shohim përplasje mes studentëve dhe demokratëve, debate për organizimin, për ditën e protestës dhe për atë se kush duhet të jetë në qendër të saj.
Madje, kur studentët kërkojnë të ruajnë identitetin dhe mënyrën e tyre të organizimit, dalin zëra nga opozita që vënë në diskutim edhe ditën e protestës. Çfarë i pengon demokratët të dalin në mbështetje të tyre, pa u përpjekur t’i vendosin nën komandë?
Nëse PD ka mbështetës, organizim dhe energji, le t’i tregojë ato. Le të dalë në shesh, le të mbështesë studentët, le të bashkohet me ta. Por pa u përpjekur të marrë mikrofonin, të caktojë axhendën dhe të vendosë se kush duhet të flasë, kush duhet të dëgjohet dhe mbi të gjitha, pa kapardisur barkderrat e parlamentit.
Një protestë studentore nuk është pronë e opozitës. Një kauzë qytetare nuk bëhet më e fortë duke i bashkangjitur me detyrim logot dhe flamujt e një partie.
Në fakt, këtu qëndron rreziku më i madh për Berishën. Ai mund të jetë duke bërë të njëjtin gabim që e ka shoqëruar opozitën prej vitesh, të ngatërrojë praninë e njerëzve në shesh me besimin e tyre te lidershipi politik.
Sot studentët po bëjnë opozitë, por me një identitet të pavarur. Dhe në vend që kjo të shihet si një mundësi për të zgjeruar protestën kundër qeverisë, po trajtohet si një problem për kontrollin politik të saj.
Një opozitë që nuk arrin të krijojë besim te qytetarët nuk mund ta zëvendësojë këtë mungesë me më shumë fjalime. Një lider që prej vitesh paralajmëron fundin e kundërshtarit, por nuk arrin ta afrojë atë fund, duhet të pyesë veten nëse nuk është bërë vetë pjesë e problemit.
Sepse është e vështirë të bindësh qytetarët se Rama ka humbur legjitimitetin, kur vetë opozita nuk arrin të fitojë besimin e tyre. Është e vështirë të flasësh për revoltë popullore, kur protestat e tua po kthehen në takime të përsëritura të një rrethi gjithnjë e më të kufizuar njerëzish.
Ndoshta kjo është arsyeja pse protesta e studentëve duhet parë si një shans, jo si një kërcënim. Ajo mund të jetë fillimi i një lëvizjeje më të gjerë qytetare, që kapërcen ndarjet partiake dhe rikthen në shesh njerëz që nuk besojnë më te politika tradicionale.
Por për këtë duhet një kusht, dikush duhet të heqë dorë nga ideja se çdo protestë duhet të ketë një pronar politik. Dhe ky është një mësim që Sali Berisha, më shumë se kushdo tjetër, duhet ta kuptojë.
Nëse Berisha vazhdon të mendojë se çdo energji qytetare duhet të kalojë përmes tij, atëherë rrezikon të bëhet pengesa më e madhe për vetë protestën që pretendon se udhëheq.






