Golden Eagle Ylli triumfoi 105:86 ndaj Bashkimit të Prizrenit në ndeshjen e xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Përballja u luajt të dielën në mbrëmje në palestrën “13 Qershori” të Suharekës. Skuadra vendase mori epërsinë që në çerekun e parë, të cilin e mbylli 25:18, dhe e ruajti ritmin edhe në dhjetëminutëshin pasues. Në pushim, Ylli ishte 13 pikë përpara, me rezultatin 53:40.
Të lidhura
None found
Bashkimi tentoi të ngushtonte diferencën në çerekun e tretë dhe e çoi rezultatin në 73:61. Megjithatë, Ylli e mbajti nën kontroll ndeshjen dhe në periudhën e fundit siguroi fitoren me shifrat përfundimtare 105:86.
Davontrey Thomas ishte lojtari më i dalluar i Yllit, me 25 pikë, dhjetë kërcime dhe pesë asistime. Connor Withers kontribuoi me 22 pikë, shtatë kërcime dhe katër asistime.
Për Bashkimin, Divine Myles shënoi 23 pikë, mori katër kërcime dhe dha një asistim.
Ylli ka pesë fitore dhe tri humbje pas tetë ndeshjeve të këtij sezoni. Bashkimi, ndërkaq, ka pësuar dy humbje dhe ka regjistruar gjashtë fitore.







