
Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës kanë vijuar edhe pasditen e kësaj të diele në Tiranë, në ditën e 162-të. Studentë, të rinj dhe qytetarë janë mbledhur sërish para godinës së Kryeministrisë, në kuadër të tubimeve të përditshme kundër qeverisë. Protesta nisi rreth orës 18:30.
Pjesëmarrësit vijojnë të këmbëngulin në kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se nuk tërhiqen nga qëndrimi i tyre deri në largimin e tij. Krahas kundërshtimit ndaj qeverisë aktuale, një tjetër mesazh që përcillet nga protestuesit është refuzimi i klasës së vjetër politike, ku në të njëjtin plan vendosin Edi Ramën dhe Sali Berishën.
Në fokus të protestës mbetet edhe qëndrimi i studentëve, të cilët kanë refuzuar thirrjet e përsëritura të kryeministrit për dialog. Ata kanë bërë të qartë se nuk pranojnë të ulen në bisedime me Ramën, duke argumentuar se nuk mund të ketë dialog me një kryeministër, ndaj të cilit kanë akuza për korrupsion dhe që, sipas tyre, ka përdorur policinë për të ushtruar dhunë ndaj të rinjve gjatë protestave. /BW/
