Një katastrofë e përmasave të mëdha, e shkaktuar nga keqpërdorimi i inteligjencës artificiale, mund të tronditë botën brenda fundit të vitit 2026 ose gjatë vitit 2027.
Paralajmërimi vjen nga Geoffrey Hinton, fitues i Çmimit Nobel në Fizikë në vitin 2024 dhe një prej figurave themeluese të inteligjencës artificiale moderne, i cili frikësohet se një sulm i fuqishëm kibernetik mund të detyrojë qeveritë dhe kompanitë të përballen më në fund me rreziqet e kësaj teknologjie.
Në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”, Hinton e cilëson skenarin e mundshëm si një “Çernobil të inteligjencës artificiale”, duke iu referuar një ngjarjeje me pasoja aq të rënda, sa të shërbejë si një kambanë alarmi për të gjithë botën.
Shkencëtari sqaron se nuk bëhet fjalë për një katastrofë bërthamore, por për një sulm kibernetik që mund të paralizojë infrastrukturat jetike të një vendi.
Sipas tij, inteligjenca artificiale mund të përdoret për të goditur rrjetin elektrik, duke shkaktuar një ndërprerje masive të energjisë, ose për të paralizuar sistemin financiar për një javë të tërë. Një skenar i tillë do t’u pamundësonte miliona qytetarëve dhe bizneseve të hynin në llogaritë bankare apo të kryenin pagesa.
“Do të arrinim të rikuperoheshim”, shprehet Hinton, duke theksuar megjithatë se një ngjarje e tillë do t’i detyronte autoritetet të merrnin më seriozisht rreziqet që vijnë nga inteligjenca artificiale.
Paralajmërimi vjen në një kohë kur sulmet kibernetike, sabotimet dhe ndërhyrjet në infrastrukturat kritike po shtojnë shqetësimet për sigurinë.
Edhe pse nuk ka prova që episodet e fundit të jenë kryer përmes inteligjencës artificiale, kjo teknologji po përdoret gjithnjë e më shumë nga kriminelët kibernetikë dhe grupet e lidhura me shtete të ndryshme për të automatizuar sulmet, zbuluar dobësitë e sistemeve, krijuar programe keqdashëse dhe përgatitur mashtrime më bindëse.
Hinton, i cili u largua nga Google në vitin 2023, pjesërisht për të folur më lirshëm mbi rreziqet e teknologjisë në zhvillimin e së cilës kishte dhënë një kontribut të madh, nuk i kursen as kritikat ndaj drejtuesve të kompanive më të mëdha teknologjike.
Ai shprehet se nuk ka aspak besim te drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, ndërsa për Mark Zuckerberg dhe Elon Musk thotë se janë të vetëdijshëm për rreziqet e teknologjisë që po zhvillojnë, por nuk shqetësohen mjaftueshëm për to.
“Preferojnë paratë”, është kritika e tij ndaj drejtuesve të gjigantëve të teknologjisë.
Fituesi i Nobelit propozon që sistemet më të avancuara të inteligjencës artificiale t’i nënshtrohen kontrolleve të detyrueshme dhe të pavarura përpara se të hidhen në treg, njësoj siç ndodh me medikamentet. Për të ilustruar rrezikun e mungesës së kontrolleve paraprake, ai sjell në vëmendje rastin e talidomidit, një ilaç që në vitet 1950 dhe 1960 shkaktoi keqformime të rënda te mijëra fëmijë.
Megjithatë, Hinton nuk e konsideron të pashmangshme një katastrofë të tillë. Sipas tij, njerëzimi ka ende mundësi ta mbajë nën kontroll inteligjencën artificiale, por kjo kërkon angazhim të madh nga qeveritë, studiuesit dhe kompanitë teknologjike.
BBC përgatitet për skenarin “Black Sky”, 72 orë transmetim edhe pa energji elektrike
Ndërkohë, shqetësimet për një ndërprerje të zgjatur të shërbimeve jetike kanë nxitur edhe përgatitjet konkrete në Mbretërinë e Bashkuar. BBC ka zbuluar detaje nga plani i saj emergjent “Black Sky”, i cili synon të garantojë vazhdimin e transmetimeve radiofonike edhe në rast të një ndërprerjeje masive të energjisë elektrike.
Sipas planit, rreth 100 punonjës do të angazhohen për të mbajtur funksional një studio radiofonike emergjence, e pajisur me lidhje të pavarura nga interneti, gjeneratorë dhe rezerva uji, ushqimesh e karburanti për të paktën 72 orë.
Në rast të një situate të tillë, BBC do të vijojë transmetimet përmes frekuencave FM, duke përcjellë udhëzime dhe informacione praktike për qytetarët, përfshirë njoftimet e qeverisë dhe këshilla për menaxhimin e jetesës pa shërbimet bazë.
Plani nuk lidhet vetëm me mundësinë e një sulmi kibernetik apo me përdorimin e inteligjencës artificiale, por merr në konsideratë edhe fatkeqësitë natyrore, defektet teknike dhe aktet e sabotimit.
Si precedent përmendet përmbytja e vitit 2015 në Lancaster, e cila la rreth 61.500 persona pa energji elektrike, duke paralizuar aktivitetin e dyqaneve, transportin dhe komunikimet.
Ndër masat e tjera që po shqyrtohen në Britani është edhe një investim prej 70 milionë paundësh në mjete fluturuese të lartësive të mëdha, të cilat do të shërbejnë për të garantuar komunikimin celular në raste emergjence.
Ndërkohë, qeveria britanike ka nisur edhe fushatën kombëtare “Be Ready”, përmes së cilës u bën thirrje familjeve të përgatiten për të përballuar të paktën tri ditë pa shërbimet thelbësore, duke siguruar ujë, ushqime, ilaçe, bateri, elektrikë dore dhe radio që funksionon pa energji elektrike.













