Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka reaguar, pas gjobës prej 5 milionë lekësh për aktivistin 17-vjeçar. Ky i fundit në një prononcim për News24 tregoi se kishte vështirësi ekonomike familjare dhe se i kishte ndërruar jetë nëna.

Bardhi shprehet se vendimi është brutal e çnjerëzor. Sipas tij, kemi të bëjmë me një të mitur jetim, që shteti duhet ta mbrojë dhe jo ta ndëshkojë.

Kreu i Grupit të PD-së i bën thirrje Policisë që të revokojë masën.

Postimi i kreut të Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi:

Të gjobisësh me 5 milionë lekë një fëmijë jetim, vetëm pse ka marrë pjesë në një protestë, nuk është thjesht një akt i paligjshëm, por një akt çnjerëzor, mizor dhe thellësisht i papranueshëm.

Shteti ka detyrimin të kujdeset për këtë fëmijë, ta mbrojë dhe t’i garantojë të drejtat e tij, jo ta gjobisë, ta frikësojë apo ta ndëshkojë në mënyrë arbitrare.

Duke e dënuar me forcën më të madhe këtë akt antihuman, i bëj thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që, qoftë edhe për pak sekonda, të lërë mënjanë bindjen dhe shërbimin politik ndaj Edi Ramës, të revokojë gjobën e vendosur ndaj këtij fëmije dhe të tregojë, të paktën një herë, se në ushtrimin e detyrës së tij ka mbetur ende një grimcë njerëzillëku.

Sepse policia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, jo në shërbim të pushtetit. Dhe shteti nuk duhet të kthehet kurrë në instrument frikësimi dhe ndëshkimi ndaj më të pambrojturve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb