Vendosni fjalën kyçe....

Varka me emigrantë përmbyset në brigjet e Senegalit, 21 viktima


Të paktën 21 persona kanë humbur jetën pasi një varkë që transportonte emigrantë u mbyt në brigjet e Senegalit, njoftoi të dielën Ministria e Brendshme, shkruan Reuters.

Autoritetet kishin shpëtuar një person dhe kishin gjetur 21 trupa deri të shtunën në mbrëmje, bëri të ditur ministria në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X.

Aksidenti ndodhi në brigjet pranë Kebemerit, një qytet rreth 180 kilometra në veri të Dakarit. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijonin, ndërsa autoritetet po kërkonin për të mbijetuar të tjerë të mundshëm.

Sipas deklaratës, varka transportonte persona që synonin të emigronin në mënyrë të parregullt. Nuk u bë e ditur se sa persona ndodheshin në bord.

Mijëra persona kanë humbur jetën vitet e fundit gjatë përpjekjeve për të mbërritur në Ishujt Kanarie të Spanjës nga Afrika Perëndimore. Sipas organizatës për të drejtat e emigrantëve Walking Borders, 635 persona kanë humbur jetën vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti.