Ka shkuar në shtatë numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes së dy trenave pranë qytetit Giza në Egjipt, ndërsa mbi 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas autoriteteve egjiptiane, dy trenat që po udhëtonin në drejtim të jugut, njëri nga Giza drejt Fayoumit dhe tjetri nga Kajro drejt Aswanit, janë përplasur, duke bërë që disa vagonë të dalin nga shinat dhe të përmbysen.
Në vendin e ngjarjes janë dërguar ekipe të shumta emergjente, ndërsa të plagosurit janë transportuar në spitalet përreth, të cilat janë vënë në gatishmëri të shtuar për të përballuar fluksin e pacientëve.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se të plagosurit kanë pësuar kryesisht fraktura dhe lëndime në kokë. Në mesin e viktimave është edhe drejtuesi i njërit prej trenave.
Prokuroria Publike ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa presidenti egjiptian, Abdul Fattah al-Sisi, ka urdhëruar hetimin e rrethanave të aksidentit dhe vënien para përgjegjësisë të kujtdo që rezulton të ketë neglizhuar detyrën.
Për shkak të aksidentit, qarkullimi i trenave ndërmjet Gizës dhe rajonit të Egjiptit të Sipërm është pezulluar.
Përplasja ndodhi pranë zonës ku në shkurt të vitit 2002 kishte ndodhur një nga tragjeditë më të rënda hekurudhore në Egjipt, kur nga zjarri në një tren pasagjerësh humbën jetën zyrtarisht më shumë se 370 persona.