Teksa dielli prek Qafë Thanën dhe hedh rrezet e tij mbi Rrajcë, një histori zgjohet, histori e cila në shekuj duket se nuk ka fjetur kurrë.

Është vetëm një fshat, por më i njohuri për vallen e tij karakteristike, kostumet popullore dhe një trashëgimi të pasur që me aq fanatizëm kanë ditur ta ruajnë brez pas brezi.

GENC KASTRATI, STUDIUES/KOREOGRAF

“Vallja e Rrajcës është një nga vallet më të njohura në Shqipëri, por jo vetëm në Shqipëri, edhe jashtë. Edhe të huajt e kërkojnë me insistim ta kërcejnë këtë valle”.

IBRAHIM BEQO, VALLTAR

“Neve përfaqësojmë fshat, nuk jemi rreth, nuk jemi një zonë, jemi fshat dhe na bëhet qefi që një valle nga një fshat të ketë këto përmasa”.

Nuk ka rrajcar që nuk njeh vallen e tij, i madh e i vogël kur vjen fjala për pasaportën e tyre të kulturës, besës dhe identitetit.

NAZMI KARAJ, Valltar

“Tek ne nuk ka nevojë ti thuash tjetrit di të kërcesh apo jo. Nuk bëhet kjo pyetje. Të gjithë janë valltarë dhe ne kënaqemi.

Kemi parë pleqtë si e bëjnë, kemi ruajtur atë hap që kanë dhënë ata, e kanë përforcuar më tej koreografët. Janë të parat familjet, ato që nxitin edhe fëmijët të ruajnë traditën. Po të marrësh pjesë në një dasëm sheh që edhe kur ka turp fëmija, prindi e çon me zor atje. Është një kënaqësi edhe për prindin, por edhe për brezin e ri që ta mësojë, ta ruajë traditën dhe ta trashëgojnë dhe ata siç na e kanë trashëguar edhe ne të moshuarit”.

HILMI KARAJ, VALLTAR

“Neve këto I kemi mësuar nëpër konak, nëpër dasma, duke parë të mëdhenjtë. Dhe nga dëshira që kishim për të kërcyer dilnim jashtë për të imituar vallet.

Kjo na ka bërë neve që ta ruajmë deri më sot e për ta çuar më përpara që tua trashëgojmë djemve që deri tani jemi shumë të kënaqur që po e ruajnë.

Ne kemi kënaqësi të kërcejmë me ta. Unë e kam për kënaqësi të kërcej me cunat e rinj, në këtë moshë që jam tani. Dhe gjëja më e bukur është që të thotë faleminderit që më merr e më mëson”.

Sinkron GENC KASTRATI, STUDIUES/KOREOGRAF

“Motivi është shumë interesant po ta shohësh të kërcyer nga kërcimtarët e zonës, për arsye se, ajo që do të ishte e vështirë, për kërcimtarët e zonave të tjera do të ishte pikërisht karakteri. Ju mund të bëni një hap 1-2-3-4, por karakteri është ai që dallon një zonë nga zona tjetër. Dhe kjo zonë dallohet për një karakter super të veçantë nga zonat që e rrethojnë.

Prandaj ne kur flasim për vallen e Librazhdit dhe sidomos për vallen e Rrajcës ndihemi krenarë dhe sidomos kur këtë valle ua prezantojmë të huajve të cilët shohin se si ka mundësi që një valle pikërisht në kufi në vend që të influencohet nga të tjerët, sepse ka pas shumë pushtues, shumë civilizime që kanë kaluar aty, janë këta që I kanë influencuar të tjerët dhe jo ata ne”.

Kjo zonë ka kultivuar këngën dhe vallen, konakun, kostumografinë dhe koloritin të cilët janë një laboratori i vlerave të prodhimit shpirtëror të kësaj krahine.

Por çfarë e bën të veçantë dhe të pakrahasueshme vallen e Rrajcës?

VALTER HANA, KOREOGRAF/ PËRGJEGJËS I QENDRËS KULTURORE PRRENJAS

“Të vecantë e bën mënyra e të kërcyerit, hapat. Nis që tek emërtimi. Në rrajcë nuk i thonë valle I thonë Hava. Hava tek ne është fjalë që do të thotë kërcim në ajër, që do të thotë nuk prekim tokën, siç janë vallet e jugut që janë të shtruara, ne jemi në ajër duke prekur me majat e gishtave tokën”.

IBRAHIM BEQO,VALLTAR

“Ne e quajmë pasaportë tonën sepse vallja e Rrajcës është valle dinamike në radhë të parë, është dhe valle elastike. Valle që kërcehet, shkëputet nga toka.

Po ta krahasosh me fshatrat që janë përreth, e kanë vallen e shtruar, shkojnë me tokën, kurse neve hidhemi mbi tokë, kemi shkëputje nga toka”.

GENC KASTRATI, STUDIUES/KOREOGRAF

“Po ta shikosh vallen e Rrajcës, jo vetëm që fut trupin, duart, kokën, por edhe kostumi është pjesë e valles, sepse kostumi mban ritmin e valles.

Pra, kjo valle mund të kërcehet me curle dhe me lodër, por mund të kërcehet dhe fare pa instrumenta. Kjo na thotë ne dhe kujtdo që merren me vallen popullore që kjo valle ka rrënjë të lashta, sepse vallet në fillime sigurisht kanë qenë pa instrumenta muzikorë.  Kjo e tregon vetë se sa e lashtë është, por dhe sa vizionarë kanë qenë ata të cilët e kanë krijuar këtë valle. Pra, të përfshish gjithçka, ku përfshihet edhe kostumi, nuk ma merr mendja që ka zona të tjera afër.

Është interesante, sidomos vallja masive ku e njëjta lëvizje tregon feminilitet dhe e njëjta lëvizje tregon burrëri”.

HILMI KARAJ,VALLTAR

“Por jo një valle, janë shumë valle. Janë vallet e thikave, vallja e bërdikës, aninaja e shumë e shumë valle dyshe, krahas valles së përgjithshme që kishim”.

Rrajca mund të konsiderohet me plot gojën një minierë ari në fushën e artit, kulturës e folklorit. Padyshim që secili banor në shekuj ka kontributin e tij në ndërtimin dhe përçimin e kësaj tradite. Por persa i përket valles, në një standard tjetër të njohjes kombëtare e çoi Sadi Halili.

GENC KASTRATI, STUDIUES/KOREOGRAF

“Një nga ata që kanë dhënë kontributin më të madh për këtë zonë ka qenë Sadri Halili i cili ishte baza e koreografisë e zonës së Librazhdit. Pra, të gjitha vallet, janë shumë valle nga ajo zonë. Jo vetëm vallja dyshe, por vallja masive, pra janë valle të marra nga ky koreograf, ky kërcimtar i jashtëzakonshëm, i cili nuk reshti asnjë ditë duke sjellë perla nga ajo zonë.

Gjithmonë kemi parë gjëra të veçanta. Ajo që është e veçantë për këtë zonë, pra aty ku bën pjesë edhe vallja e Rrajcës, është një valle brezash, që e sjellë nga Z. Sadri Halili ku përfshihet plaku, djali i ri dhe fëmija.

Të tre, ata jo vetëm bëjnë dualitetin, se kush është më i miri, se kush është më trimi, kush është më burri, por edhe trashëgiminë në breza të valles dhe të traditës”.

NAZMI KARAJ, Valltar

“Për herë të parë, kam qenë gjimnazist në vitin 1969, në vit të parë. Mjeshtri I madh Sadri Halili ishte atje atëherë. Me të kam kërcyer vallen dyshe të thikave që trashëgohet brez pas brezi, në një aktivitet në shtëpinë e kulturës së Librazhdit. Sadriu më nxiti edhe  mua të merrja pjesë në çdo aktivitet atëherë”.

HILMI KARAJ, VALLTAR

“Unë kam 46 vite që kërcej vallen e Rrajcës.Kam marrë pjesë edhe në shtëpinë e kulturës në Prrenjas. Njëkohësisht merrja pjesë edhe me shtëpinë e kulturës Librazhd me të madhin Sadri Halili, koreografi, mjeshtri I madh, që ne na ka vënë në rrugë e në vijë për këto valle”.

VALTER HANA, KOREOGRAF, PËRGJEGJËS I QENDRËS KULTURORE PRRENJAS

“Dua të përmend valltarët e brezit të parë që kanë dalë në 1944-45 sic është Xhelo Cuku, Hamide Stojna, instrumentistët e parë, Halil Turtulli, Ymer Turtulli dhe këta e kanë trashëguar në brezat e ardhshëm”.

 

Në kohërat kur nuk kishte instrumente muzikore vallja nuk kishte shoqërim instrumental, por atëherë ashtu si edhe sot, kostumi luan një rol të rëndësishëm në ritmin e saj.

VALTER HANA, KOREOGRAF, PËRGJEGJËS I QENDRËS KULTURORE PRRENJAS

“Gërshetimi i kostumeve e bën akoma më të vecantë. Nëse vallja është 100%, po aq është edhe kostumi, janë të barazvlefshëm me njëra tjetrën. Nëse nuk do të kemi kostumin, vallja nuk do ta japë atë figurën apo lëvizjen e saktë sepse duke filluar që tek pjesa e lëvizjes së supeve tek cunat, krahët duke treguar atë burrërinë tek kostumi, me ato mëngët e gjëra, dhe gocat tek pjesa e ornamenteve që kanë kostumet, sic janë raftet, paret që tunden. Nëse e ve pa muzikë ato krijojnë ritmin e valles, duke e kërcyer ato e krijojnë.

Në pogonishte nuk mund të krijohet tamam tamam ritmi por në vallen e Rrajcës ritmin e merr të plotë. Edhe nëse orkestrina ndalon, valltarët nuk ndalojnë se e kanë ritmin pjesë të kostumit”.

OLSION LAÇKA, KOMPOZITOR

“Vallja fillon me ritmet e thjeshta që me 2/4 e deri tek ritmet e përziera që janë 4/8, 5/8, 7/8, 9/8, 12/8 arrin tek grupimet e ritmeve të përziera dhe kjo e bën atë që shkrirja e elementeve ritmike, qoftë ritmet e thjeshta dhe ritmet e përbëra, bëjnë atë që japin bashkë me dinamikat dhe elementët e tjerë që japin veshja, orkestrimi, koreografia, të gjitha së bashku sjellin atë magjinë.

Ato mjeshtrat, ustallarët, u ka shku mendja aq bukur, sa ajo është pjesë e celeston sot. Për të mos qenë pjesë e instrumentit tek instrumentistët, është tek gratë, edhe për dekor edhe si element I bukur, por edhe si pjesë e plotësimit të ritmit, gjë që tek burrat mungon por është zëvendësuar tek gratë”.

Mjeshtërit thonë se muzika që i përshtatet valles së Rrajcës mund të krijohet vetëm nga cyrlja e daullja. Ata janë përpjekur madje që ritmin e saj ta hedhin në partiturë, por pa sukses.

ELTON TURTULLI, MUZIKANT

Pas shumë përpjekje të miat, por edhe të të parëve që kanë mbaruar muzikë, e kanë pasur shumë të vështirë që këngët që shoqërojnë vallen e Rrajcës të shkruhen në partiturë. Është dicka që nuk është arritur nga askush dhe shpresojmë që një ditë të vijë një moment që ti shkuajmë në partiturë. Të vështirë e bejnë ritmet e përziera”.

RAMAZAN TURTULLI, INSTRUMENTIST, CYRLE

“Që tek emri që ka cyrle, ajo është e veçnta vetë. Është instrument e cila edhe vallet janë ndërtuar për këtë lloj instrumenti. Kam nxjerrë konkluzion që vallet janë ndërtuar për këtë lloj instrumenti. Dhe kjo është më e veçanta. Në klarinetë nuk e nxjerr do të këtë ngjyrë muzikore që jep kjo. Këto thirrje që bën kjo nuk I bën instrument tjetër.

Me daullen ato janë të ndërtuara me njëra tjetrën në proporcion të ritmeve. Ritmet janë tepër të vështira dhe disa ritme nuk mund të shkruhen”.

ÇELNIK CANI, INSTRUMENTIST CYRLE

“E kemi të trashëguar nga stërgjyshi, gjyshi, babai, unë dhe ja kam trashëguar djalit. Jemi instrumentistë në cyrle dhe daulle. Është kënaqësi e vecantë, por është edhe shumë përgjegjësi, sepse ke përgjegjësinë e të gjithë grupit dhe aty ke emocione të papara. Është dhe kënaqësi shumë e bukur të shikosh djalin. Ky ka marrë pjesë shumë I vogël si valltar”.

Të ndërlidhura fort me njëra tjetrën, ato nuk mund të jetonin ndryshe. Kostumografia plot ngjyra e fisnikëri do të luante një rol të veçantë në të gjithë kuadrin e kësaj pikture mjeshtërore. Nga koka e deri tek çorapet, çdo gjë e punuar me pasion nga zonjat Rrajcare.

VASE DASHI, ARTIZANE

“Në shtëpi punonte mamaja dhe unë isha 18 vjec. I Shihja dhe mësova të qep dhe vetë. Avash avash I mësova. Kisha qef ti bëja”.

A ka një shtëpi Rrajce ku nuk ka një kostum të traditës?

“Në të gjitha ka një kostum nuse dhe grash. Në çdo shtëpi e gjen. Ka edhe më shumë, por nuk gjen shtëpi pa rroba nusesh dhe grash. I ruanin dhe më parë nënat tona ndaj janë këto rroba të vjetra dhe sot. I ruanin ato dhe neve vazhdojmë”.

 

SHPRESA BALLSHKASHI, ARTIZANE

“Në çdo dasëm vishen nuk ka dasëm që të mos vishen. Kanë filluar rezervimet që tani për gusht korrik shtator. Është gjë e bukur. Ne e quajmë më të bukurën e Shqipërinsë kostumin tonë të Rrajcës. Ka shumë elementë të bukur si xhybja jeleku, kësula gjerdani qosteku, dredhaku, këmisha me pala, corapet brezi, të gjitha janë të mira”.

DRITA BOGDANI, ARTIZANE

“16 vjet kam qenë kur kam mësuar këtë…, këtij i thonë dredhak, këtë kam bërë të parin. Punonte dhe gjyshja dhe mami dhe mami mi mësoi. Këtij i themi qostek, ky vendoset kështu….edhe ky do kohë për ta punuar, rruazat nuk numërohen.

Kjo është e vjetër, këtyre u thonë shaina, edhe kjo tepe, dhe kjo është e vjetër. Këto I ka pasur vjerra ime. I kanë 70 vjet”.

Sot unë jam një nuse Rrajce. Kam veshur kostumin e nuses. Atë kostum të cilin nusja e vesh kur hyn në shtëpi. Ndërkohë të gjitha detajet e tij kanë ndryshime nga kostumi popullor I vajzës apo ai I grave në moshë.

VASE DASHI, ARTIZANE

“Do një vit të plotë të punohet. Duke filluar që tek corapet e deri tek curla. Më I vështirë është kostumi I nuses ka më shumë detaje.

I nuses I ka të gjitha detajet. Kurse I vajzës ka vetëm xhokën dhe jelekun me tel dhe shami në kokë. Vajzat asnjëherë me xhybe, vetëm nusja vesh xhybe. Gratë e moshuara veshin qestike, me skutë, me xhokë, kishin dhe pashtërmall”.

Ka ndryshuar kostumi me kalimin e viteve?

“Qestikja është sic e kanë bërë më parë. Është e kohës. Kanë ndryshuar psh corapet. Se tani I bëjnë të reja. Atëherë ishin të vjetra. Fanellat ishin me një dizgë, tani janë plot. Atëherë ishin me një se skishte. Kam xhokë, skutë, shumëvjecare, mbi 100 vite, skuta, xhuka, qestikja. Shumë mbi 100 vite. Ato gra nuk rrojnë dhe sot”.

Ashtu  si vallja edhe elementët e kostumografisë, megjithë ndryshimet e zbukurimet, gjatë rrugës, vijojnë të ruhen e trashëgohen. Madje zonjat rrajcare kërkojnë më shumë mbështetje që këtë pasion tyrin ta zhvillojnë më tej.

SHPRESA BALLSHKASHI, ARTIZANE

“Me qef e punoj, ngrihem në mëngjes aty e kam mendjen tek këto. Shumë ore 10-12 orë ndoshta dhe më shumë, dita është e gjatë, por edhe në darkë punoj deri vonë, derisa ta le aty ku dua unë.

Përpiqem shumë dhe ishalla do të le një trashëgimtar pas meje. E dëshiroj shumë këtë gjë”.

VASE DASHI,ARTIZANE

“Tërë ditën me këto merrem, tërë ditën qep. Kam qef akoma. Do punoj me syze. Sa të jem. Me syze do punoj. Do bëj cdo gjë. Më kënaq më shlodh.

Sa e bukur je ti. Kënaqesh ku I vesh këto rrobat rrajcare. Më I bukur është në të gjithë Shqipërinë. Si kostumi ynë nuk ka. Jo se lëvdohemi por si kostumet tona nuk ka. Rrajca ka një traditë të bukur të pastër”.

Teksa rrajcarët ndër vite e shekuj kanë bërë të pamundurën për ruajtjen e traditës dhe identitetit të tyre, gjithashtu një detyrë e madhe u takon institucioneve shtetërtore.

GENC KASTRATI, STUDIUES, KOREOGRAF

“Kjo është detyra edhe e Ansablit, edhe e Shtetit Shqiptar, edhe e çdo shqiptari, që jo vetëm ta reklamojmë, por ta promovojmë dhe vetë ne të përfshihemi në të”.

VALTER HANA, KOREOGRAF, PËRGJEGJËS I QENDRËS KULTURORE PRRENJAS

“Ansamblit tonë do ti duhej një mbështetje nga institucionet qëndrore sepse janë bërë studime por nuk janë bërë aq sa e meriton Rrajca. Përvec ta regjistrojmë si trashëgimi shqiptare me vlerat që ka, të na japin edhe mundësi për ta studiuar që ne të kemi hapësirat tona për të dalë në terren për të marrë brezat e rinj, për ti bërë pjesë tonë sic e kemi nisur që në Ansambël kemi 3 breza”.

 

Vallet, këngët, muzika dhe kostumet, si elementë të pandarë të folklorit të popullit të trevës së Rrajcës, rrjedhin nga vetë traditat dhe zakonet e njerëzve, e si të tilla, bukuria dhe përkushtimi ndaj tyre është një angazhim I të gjithëve, për të ruajtur pikërisht, atë pjesë tonën e cila na flet për historinë, identitetin dhe origjinën.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Top Channel