Në edicionin e këtij viti të çmimeve prestigjioze të orëndreqjes, 84 orë dhe mekanizma matës të kohës garuan në 14 kategori, përfshirë orët sportive, kalendarin dhe astronominë, bizhuteritë dhe mekanizmat e veçantë.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG) u rikthye këtë vit për edicionin e saj të 26-të, duke prezantuar punimet më të mira të industrisë së orëndreqjes luksoze. Ceremonia madhështore u mbajt më 7 nëntor, raproton Gazeta Express.
Çmimi kryesor, i njohur si “Aiguille d’Or” (Gjilpëra e Artë), ishte i hapur për të gjitha orët, pavarësisht kategorisë. Vitin e kaluar, ky çmim iu dha modelit Classique Souscription 2025 të kompanisë Breguet, një orë që ka vetëm një akrep. Këtë vit, çmimi iu nda një orëndreqësi të pavarur zvicerano-kosovar, i cili po bën emër në industrinë e orëndreqjes.
Çmimi kryesor “Aiguille d’Or”
Çmimi më prestigjioz i GPHG-së, “Aiguille d’Or”, iu dha orëndreqësit të pavarur Rexhep Rexhepi, me seli në Gjenevë, për modelin e tij Chronograph Flyback.
Duke komentuar fitimin e këtij çmimi prestigjioz, Rexhepi i tha Euronews Culture se gjithmonë kishte ëndërruar ta fitonte çmimin kryesor. Ai gjithashtu vlerësoi ekipin e tij dhe koleksionistët nga e gjithë bota që i ndjekin krijimet e tij.
Rexhepi, karriera e të cilit filloi në moshën 15-vjeçare si praktikant në kompaninë Patek Philippe, tha se marrja e çmimit nga fituesi i vitit të kaluar, gjiganti i industrisë së orëndreqjes Breguet, kishte një domethënie të veçantë për të.
Me një dizajn elegant dhe përmasa harmonike, kjo orë kërkoi një rishikim të plotë të arkitekturës së mekanizmit të saj. Fusha e saj e kaltër, me smalt të punuar përmes teknikës Grand Feu, është frymëzuar nga kronografët e vjetër të orëve të xhepit.
Ngjarja edhe një herë vuri në pah mjeshtërinë e konsoliduar ndër vite të kësaj industrie. Gjithsej 84 orë garuan për çmime në 14 kategori, përfshirë orët sportive, kalendarin dhe astronominë, bizhuteritë dhe mekanizmat e veçantë.
Për herë të parë, organizatorët hoqën kategoritë tradicionale të ndara sipas gjinisë (për burra dhe gra), duke i zëvendësuar me kategori të reja teknike: Essential Watch dhe Complication Watch.
Në mesin e të nominuarve këtë vit ishin një punishte nga Moska që sfidon gjigantët zviceranë, një sistem diellor i bartshëm dhe një orë me peshë 10 kilogramë, e cila e kurdis orën tuaj derisa flini.
Fituesit u përcaktuan nga një juri ekspertësh, ku përfshiheshin koleksionistë të orëve, orëndreqës, gazetarë dhe ankandistë.
Fituesit e çmimeve GPHG 2026
Më poshtë është lista e plotë e fituesve të ceremonisë së sivjetme.
1. Time Only: L.U.C 1860 Chronometer – Chopard.
Kjo orë u krijua si vazhdim i modelit origjinal dhe ikonik L.U.C 1860, për të shënuar 30-vjetorin e prodhimit të orëve Chopard në Fleurier.
2. Essential: Extra Plat Rose Gold Skeleton – Daniel Roth.
Një interpretim i ri i modelit Extra Plat, i karakterizuar nga një filozofi minimaliste dhe një mekanizëm i ndërtuar për të theksuar lehtësinë dhe transparencën.
3. Complication: Inspiration One – CLEGUER.
Kjo orë përmban një fushë me smalt Grand Feu, një rezervë energjie prej 36 orësh dhe një rrotë ekuilibri të madhe.
4. Mechanical Exception: Grande Double Sonnerie – Blancpain.
Mekanizmi më kompleks i prodhuar nga Blancpain, i zhvilluar për tetë vjet. Ai mundëson përzgjedhjen e dy melodive të ndryshme përmes një mekanizmi me katër çekiçë.
5. Gemset: Swinging Pebble – Piaget.
Një orë xhepi e krijuar nga një gur dekorativ i gdhendur dhe i lustruar, i varur në një zinxhir ari.
6. Tourbillon: Chronomètrie FB 2TV – Ferdinand Berthoud.
Koleksioni synon të zbulojë bukurinë mekanike të mekanizmit përmes pjesës së përparme të orës.
7. Chronograph: Tonda PF Chronographe Mystérieux – Parmigiani Fleurier.
Një orë e karakterizuar nga thjeshtësia dhe diskrecioni, me një buton të vetëm që koordinon tri faza të sinkronizuara.
8. Calendar and Astronomy: 150 Heritage – Audemars Piguet.
Kjo orë xhepi prezanton për herë të parë Kalendarin Universal, një mekanizëm llogaritës që paraqet ciklet qiellore të cilat kanë ndikuar në festimet kulturore në mbarë botën.
9. Sports: Spring Drive U.F.A. Ushio 300 Diver – Grand Seiko.
Është ora më e vogël zhytëse e prodhuar ndonjëherë nga kjo markë dhe njëkohësisht ora më e saktë e saj me mekanizmin Spring Drive.
10. Jewellery: Mystery Nut – Chopard.
Një varëse në formën e arrës, me trup prej ari rozë 18-karatësh dhe diamante kafe e ngjyrë konjaku. Ajo hapet për të zbuluar një orë me fazat e Hënës.
11. Artistic Crafts: Tambour Taiko Arty Automata – Louis Vuitton.
Një orë me ngjyra dhe lëvizje të veçanta, rezultat i më shumë se 250 orëve të punës artizanale. Fusha e saj përbëhet nga 23 nuanca të ndryshme të smaltit.
12. Petite Aiguille: No.8 – OTSUKA LOTEC.
Mekanizmi i kësaj ore përbëhet nga 62 pjesë dhe përdor një kushinetë jashtëzakonisht të vogël prej 1.5 milimetrash.
13. Challenge: SpaceOne X Baltic – Seconde Majeure – SpaceOne.
Kjo orë bazohet në një mekanizëm të veçantë që mundëson kërcimin e menjëhershëm të treguesit të orës.
14. Mechanical Clock: COSMO – La Vallée.
COSMO prezanton një koncept të ri të orëndreqjes: një mekanizëm tërësisht të pezulluar në mënyrë magnetike, i cili rrotullohet vazhdimisht rreth boshtit të vet.
15. Audacity Prize: ThinKing Mystery – Konstantin Chaykin.
Ora e orëndreqësit të pavarur nga Moska cilësohet si ora mekanike më e hollë në botë e prodhuar në seri.
16. Horological Revelation Prize: Pulse60 Titanium Black – Dominique Renaud.
Kjo orë ka frekuencën më të ulët të mekanizmit në orëndreqjen bashkëkohore, vetëm 1 Hz. Rrota e saj e ekuilibrit lëkundet 60 herë në minutë, njësoj si ritmi i zemrës së njeriut në gjendje pushimi.
17. Chronometry Prize: Naissance d’une Montre 3 – Ferdinand Berthoud.
Një projekt që ruan trashëgiminë e orëndreqjes. Secila pjesë është punuar veçmas, pa ndihmën e teknologjisë digjitale, tërësisht me dorë ose me mjete tradicionale.
18. Iconic Watch Prize: Royal Oak “Jumbo” Extra-Thin Selfwinding Flying Tourbillon Chronograph RD#5 “150th Anniversary” – Audemars Piguet.
Modeli përmban një numërues minutash me kërcim të menjëhershëm dhe, për herë të parë në koleksionin Royal Oak, kombinon kronografin flyback me një tourbillon fluturues.
19. Special Jury Prize: Patek Philippe / Watch Art Grand Exhibition.
Ky çmim nderon personalitete, institucione apo iniciativa që kanë luajtur rol të rëndësishëm në promovimin e orëndreqjes cilësore.
© SYRI.net