
Barcelona merr një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Atletico Madridin me rezultatin 1-2 në “Metropolitano”. Katalanasit triumfuan në një përballje të drejtpërdrejtë mes pretendentëve për titullin kampion, duke ndërprerë njëkohësisht serinë prej gjashtë fitoresh radhazi të skuadrës së Diego Simeones.
Vendasit e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e 9-të. Pas një aksioni të shpejtë, Julian Alvarez shërbeu në mënyrë perfekte për Giuliano Simeonen, i cili mposhti portierin Joan Garcia dhe ndezi festën në stadium.
Atletico pati mundësinë të thellonte epërsinë, por Alvarez u ndal nga një pritje vendimtare e portierit të Barcelonës. Ky moment rezultoi i rëndësishëm, pasi miqtë reaguan në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 45-të, Fermin Lopez përfitoi nga një aksion ofensiv dhe me një goditje brenda zonës riktheu baraspeshën.
Në pjesën e dytë, Barcelona rriti presionin dhe gjeti golin e fitores në minutën e 67-të. Lamine Yamal dhuroi një asist fantastik, ndërsa Fermin Lopez realizoi sërish, duke kompletuar dopietën personale.
Me këtë sukses, Barcelona shkon në kuotën e 33 pikëve dhe ruan kreun e renditjes. Real Madridi ndjek me 30 pikë, ndërsa Atletico mbetet i treti me 28 pikë.
