Mbi 200 mijë persona kanë mbushur rrugët e Amsterdamit në Holandë, në një protestë masive kundër ofensivës izraelite në Gaza. Tubimi, i organizuar të dielën nën sloganin “Linja e Kuqe”, kishte në qendër kërkesën për masa konkrete nga qeveria holandeze ndaj Izraelit.
Sipas degës holandeze të organizatës Amnesty International, një prej organizatorëve të protestës, pjesëmarrësit kërkuan ashpërsimin e kufizimeve tregtare ndaj Izraelit, ndërprerjen e të gjitha shitjeve të armëve dhe vendosjen e sanksioneve për shkak të luftës në Gaza.
Të lidhura
None found
Protestuesit, shumë prej të cilëve mbanin veshje dhe simbole me ngjyrë të kuqe, marshuan në rrugët kryesore të qytetit, ndërsa Sheshi i Muzeut u mbush me mijëra qytetarë. Gjatë marshimit u dëgjuan vazhdimisht thirrjet “Liri për Palestinën”.
“Çfarë po ndodh atje është çnjerëzore. Për mendimin tim, autoritetet holandeze nuk po bëjnë asgjë. Nuk kanë guximin të ndërmarrin hapa seriozë”, u shpreh një prej protestuesve, Mike van Dongen.
Protesta e së dielës është pjesë e një serie tubimesh të zhvilluara në Holandë kundër politikës së qeverisë izraelite në Gaza. Organizatorët kërkojnë që autoritetet të shkojnë përtej deklaratave diplomatike dhe të ndërmarrin masa konkrete ekonomike e ushtarake.
Sipas të dhënave të raportuara, lufta në Gaza që prej tetorit 2023 ka shkaktuar të paktën 74 mijë viktima palestineze, mes tyre rreth 21 mijë fëmijë. Edhe pse një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor të vitit të kaluar, sulmet dhe vrasjet kanë vijuar pothuajse çdo ditë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar ndjeshëm për shkak të luftës në Gaza. Qeveria e re holandeze, e cila mori detyrën në shkurt, ka vendosur ndalimin e importit të produkteve nga vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze, të konsideruara të paligjshme nga Holanda dhe pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar.
Ky vendim shkaktoi reagime nga Izraeli dhe përplasje diplomatike mes dy vendeve. Kryeministri holandez Rob Jetten, i cili nuk ishte i pranishëm në protestën e së dielës, por kishte marrë pjesë në një marshim të mëparshëm, mbrojti qëndrimin e qeverisë së tij.
Ai deklaroi se autoritetet po ushtrojnë presion më të madh politik dhe diplomatik ndaj Izraelit për respektimin e marrëveshjeve lidhur me Gazën. Megjithatë, pjesëmarrja masive në protestën e Amsterdamit tregon se një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë holandeze kërkon masa më të forta ndaj Izraelit dhe ndryshim të politikës së vendit në raport me konfliktin.







