Një gjest i shkëlqyer nga klubi i futbollistit të ndjerë - ata do ta mbështesin vajzën e tij derisa të mbushë moshën madhore

Klubi spanjoll Tenerife ka marrë një vendim human për të mbështetur financiarisht vajzën e futbollistit të tyre të ndjerë, Jesús de Miguel, i cili humbi jetën të martën e kaluar, një ditë pas një përplasjeje me portierin kundërshtar gjatë ndeshjes së kampionatit.
Vajza e tij, Carla, është vetëm një vjeç e katër muajshe. Klubi është zotuar që t’i qëndrojë pranë dhe t’i ofrojë mbështetje financiare të paktën deri në moshën 18-vjeçare. Vendimi u konfirmua nga drejtori ekzekutiv i Tenerifes, Antonio Manuel Porro Granados, në një intervistë për mediumin “The Athletic”.
Nisma u ndërmor nga pronari kryesor i klubit, Rayco García, i cili e bëri të ditur vendimin gjatë ceremonisë së lamtumirës për sulmuesin e ndjerë, të mbajtur të shtunën në stadiumin “Heliodoro Rodríguez López”. Granados theksoi se klubi synon ta ndihmojë familjen përtej detyrimeve që ka në aspektin ligjor.

“Nuk do ta lëmë të mos i mungojë asgjë”
“Carla nuk do të jetë kurrë vetëm. Do të kujdesemi të gjithë së bashku për të derisa të mbushë 18 vjeç. Nuk do ta lëmë të mos i mungojë asgjë dhe duam që ajo të jetë në gjendje ta shohë këtë ishull me një buzëqeshje”, deklaroi García gjatë ceremonisë së lamtumirës.
Drejtori ekzekutiv i Tenerifes, Granados, shpjegoi më tej angazhimin e klubit.
“Plani ynë është të jemi pranë vajzës dhe të sigurohemi që e gjithë familja e Tenerifes ta mbështesë atë. Duam t’i qëndrojmë pranë të paktën derisa të arrijë moshën madhore. Ky është një angazhim i marrë me iniciativën e pronarit tonë kryesor, Rayco García, të cilin të gjithë e mbështesim plotësisht”, u shpreh ai.
Granados shtoi se klubi po shqyrton edhe mënyra të tjera për të ofruar ndihmë financiare, me qëllim që familja e De Miguelit të përballet sa më lehtë me pasojat e kësaj tragjedie, të paktën në aspektin material.
Ndërkohë, një fushatë e veçantë humanitare është organizuar nga ish-futbollisti i Tenerife-s, Fran Sol. Deri të dielën, përmes saj ishin mbledhur më shumë se 150 mijë euro. Në mesin e donatorëve janë edhe futbollistët e Spanjës, Alvaro Morata dhe Álex Baena.

U nda nga jeta pas përplasjes me portierin
Jesús de Miguel pësoi lëndime të rënda gjatë ndeshjes ndërmjet Tenerifes dhe Andorrës, në kuadër të kampionatit spanjoll. Në minutat shtesë, sulmuesi u përplas me portierin kundërshtar, JesUs Owon, dhe mbeti i palëvizshëm në fushë.
Ai mori ndihmën e parë nga stafi mjekësor në stadium dhe më pas u dërgua në spital. Megjithatë, futbollisti ndërroi jetë të martën, një ditë pas ndeshjes. Lajmi për vdekjen e tij shkaktoi reagime të shumta dhe pikëllim në futbollin spanjoll.
Të shtunën, Tenerife organizoi një ceremoni lamtumire në stadiumin e saj, ku morën pjesë familjarë, bashkëlojtarë, tifozë dhe përfaqësues të klubeve të tjera spanjolle.
Në mesin e të pranishmëve ishin edhe Emilio Butragueño, në përfaqësim të Real Madridit, Rafael Gordillo nga Betisi dhe Marcos Senna nga Villarreali.
Një nga momentet më prekëse ishte fjalimi i kapitenit të Tenerifes, Enric Gallego, i cili nuk arriti t’i mbante lotët. Ai iu drejtua familjes së De Miguelit, duke u siguruar se nuk do të ishte kurrë vetëm dhe se gjithmonë do ta kishte pranë familjen e saj të dytë, atë të Tenerifes. /Telegrafi/











































